10 ngjarje politike që kanë trazuar situatën postzgjedhore në Shqipëri

0 447

Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit politika “turbullohet” edhe më shumë, duke paralajmëruar zhvillime të reja në të dyja kampet, pozitë dhe opozitë. Vënia në lëvizje e sistemit të ri të drejtësisë, shpallja e Berishës non grata nga SHBA, shkarkimi i presidentit, Kongresi i PS-së dhe zgjedhjet brenda PD-së mbesin disa nga ngjarjet që nuk mund të kalohen lehtë.

Nga ROLAND QAFOKU

“ZBARKIMI” AMERIKAN NË SHQIPËRI

Prej gjashtë muajsh duket hapur që SHBA ka një rritje të interesit për Shqipërinë. Vetëm disa vite më parë ky interes dukej në rënie. Nuk ishin të paktë analistë dhe qëmtues politikës ndërkombëtare që theksonin se SHBA e kishte ulur impenjimin me Ballkanin perëndimor dhe veçanërësisht ndaj Shqipërisë. Ishte jo pak realist më 25 nënrtor 2015 gazetari i njohur Elez Biberaj në një fjalim për nder të 25 vjetorit të rrëzimit të komunizmit teksa theksonte se SHBA po lodhej me vendin tonë.

Sa të forta, por sa reale ishin në atë fjalim fjalët e tij: “Ndërsa Shqipëria është e rëndësishme, ajo nuk është pjesë e interesave jetikë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Shqipëria është thjesht pjesë e strategjisë së tyre periferike. Bashkësia ndërkombëtare, e angazhuar sot me çështje të shumta dhe shumë më urgjente se Shqipëria, nuk pritet të jetë më aq e gatshme për të ndihmuar, nëse udhëheqësit në Tiranë perceptohen si të korruptuar, të përçarë dhe me një angazhim të dyshimtë ndaj demokracisë. Kështu, udhëheqësit shqiptarë duhet të jenë të ndërgjegjshëm nga rreziku i një “lodhjeje me Shqipërinë.” Por duket se SHBA tashmë jo vetëm që nuk janë lodhur me ne, por e kanë intesifikuar praninë e tyre në Shqipëri. Më 4 maj ky perceptim u përmbys me nisjen në Shqipëri të stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 21” të drejtuar nga ushtria amerikane si pjesë e NATO-s me tre komponentët tokësor, detar dhe ajror.

Tre gjeneralë amerikanë me katër yje dhe 28 mijë trupa ushtarakë nga 26 vende që janë ende në territorin tonë, Shqipëria i kishte parë vetëm në ëndrrat e komunizmit që mund të pushtonin Shqipërinë, por jo në një stërvitje që cilësohet më e madhja pas Luftës së Dytë Botërore. Gjenerali Jeffrey Harrigian, Komandant i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë – Forcave Ajrore Afrikë, si dhe Komandës Ajrore Aleate; gjenerali Christopher Cavoli, Komandant i Ushtrisë së SHBA në Evropë dhe Afrikë ishin ata që hapën ceremoninë dhe me fjalët e tyre i treguan Shqipërisë se SHBA është pranë tyre, duke krijuar pakënaqësi të hapur të shteteve jomike me Shqipërinë por edhe xhelozi me një pjesë të atyre shteteve që janë pjesë e NATO-s.

Por nuk është vetëm ky “zbarkim” ushtarak që tregon rritjen e interesin amerikan. Së fundmi ka një intesifikim të aktivitetit diplomatik amerikan ndaj Shqipërisë. Nuk ka ngjarje apo zhvillim politik në Shqipëri që diplomacia amerikane të mos jetë e angazhuar gjë që tregon se zbarkimi amerikan në vendin tonë është në të gjitha aspektet. Të gjithë ata politikanë që për hir të interesave të tyre, apo disa edhe për snobizëm, i bëjnë jo thjesht kritika por luftë SHBA, nuk kanë përballë thjeshtë individë, por një SHBA kaq të interesuar ndaj nesh.

AMBASADORJA KIM DHE SPAK

Reforma në drejtësi në Shqipëri është investim ekskluziv i SHBA dhe që nga viti 2016 që është miratuar në parim, diplomatët matanë Atlantikut ka qenë në mbështetje të hapur të saj. Por javët e fundit ambasadorja Yuri Kim ka qenë shumë herë më e interesuar për proceset e institucionit më të ërdnëishmë të kësaj reforme SPAK. Nuk ka seancë gjyqësore që përfaqësue të ambasadës të mos jenë prezentë në gjykatë. Ndërkohë kulmi ariti të premten që shkoi kur zonja Kim vizitoi këtë institucion në faqen zyrtare të ambasadës në facebook u shfaq fotografia e saj e shoqëruar me kreun e SPAK Arben Kraja dhe kreun e BKH Aida Hajnajn dhe një citat: “Zhvillimi i vërtetë po ndodh. SPAK e nisi vitin 2021 me rezultate të vërteta nga çështje të mëdha. Ndërsa mesi i vitit 2021 po afron, kreu Kraja dhe drejtoresha Hajnaj i rikonfirmuan ambasadores Kim se puna po vijon intensivisht në SPAK. Pavarësisht sfidave dhe sulmeve, SPAK është përqendruar për të treguar se askush nuk është mbi ligjin. Ata vazhdojnë të hetojnë krime të ndryshme, të organizuara e të mëdha, korrupsionin dhe krimet zgjedhore, dhe janë të vendosur për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Askush nuk është mbi ligjin!” Fraza “askush nuk është mbi ligjin” është si një e rënë çekiçi në gjykata për këdo që e shkel ligjin.

PARTIA DEMOKRATIKE NUK NJEH REZULTATIN E ZGJEDHJEVE

Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 25 prillit duke i shkaktuar kësaj partie distafën më të rëndë që nga krijimi i saj. Por kjo nuk ka mjaftuar. Lidershipi i kësaj partie dhe konkretisht kryetari Lulzim Basha ka shpallur se nuk i njeh rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit me pretendimin se procesi është tjetërsuar dhe se PS ka vjedhur votat. Është një justifikim i hapur i kreut të PD që i ndodhur në një situatë jo pak të lehtë po mundohet të gjejë justifikime të mëdha për këtë humbje të madhe. Por fakti është se deri tani KQZ nuk ka zbuluar shkelje dhe abuzime në atë nivel që të kenë tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve. Dhe si e tillë, teza e mosnjohjes së zgjedhjeve është thjesht një ngushëllim për ata 622.265 demokratë dhe aleatë të kësaj partie që e votuan por që ishte e pamjaftueshme për të ardhur në pushtet. Kjo është hera e parë që një parti politike në këto 30 vjet nuk njeh zgjedhjet. Duket si një vendim po në atë linjë si ai i djegies së mandative të deputetëve dhe mospjesmarrjes në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

NË PD KËRKOJNË LARGIMIN E BASHËS

Ka jo pak anëtarë dhe figura të rëndësishme në Partinë Demokratike që nuk ua ndjen shumë për justifikimet e Lulzim Bashës. Që në ditët e para pas zgjedhjeve kur po mësohejs e kjo parti humbi përballë Partisë Socialiste, ata kanë kërkuar largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi. Duke e cilësuar atë përgjegjës për këtë disfatë, ata janë të vendosur për ta larguar kryetarin që ka humbur katër beteja politikie: zgjedhjet lokale të vitit 2015, zgjedhjet e përgjithjshme të vitit 2017, mospjesmarrjen në zgjedhjet e vitit 2019 dhe së fundmi humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Nga ana tjetër Lulzim Basha jo vetëm që nuk ka dhënë dorëheqje, por për herë të parë në histori, një kryetar në detyrë ka hapur garën për zgjedhje të reja në këtë parti. Kjo ka krijuar vërtetë një situatë ironikisht edhe të nderë por edhe humoristike brenda kësaj partie. Një situatë që e ka trazuar aq shumë këtë parti që askush nuk di të thotë se si do rrjedhin ujrat aty.

KONGRESI I MANDATIT TË TRETË TË PS

Partia Socialiste ka njoftuar se më 12 qershor do mbajë kongersin e saj të jashtëzakonshëm. Kjo datë koicidon edhe me 30 vjetorin e themelimit të kësaj partie por më shumë se kaq kryetari Edi Rama pritet të parashtrojë përpara anëtarësisë dhe forumeve programin zbatues të qeverisjes së mandati të tretë. Ai ka lajmëruar se do bëjë publikë stafin e kabinetit të tij por edhe do bëjë ndryshiem sidmos te drejtorët. Ka një pyetje të madhe që u bëhet socialistëve në prag të këtij kongresi: Çfarë do ti bëni këtij superpushteti? Çfarë do ti bëni pushtetit që do zgjasë 12 vjet dhe që brenda ka qeverinë qendore, të gjitha bashkitë dhe sigurisht edhe shumicën në parlament? Ndoshta në kongres Edi Rama mund t’i japë pjesërisht përgjigje pyetjes. A do ndajë ai pushtet? A do ketë një frymë të re qeverisëse? A do qeverisë ai akoma me disa ministra që nuk i do më as Partia Socialiste, e jo më populli? Këto janë dilema që Rama duhet t’i peshojë mirë. Ka një mundësi që Kongresi i 12 qershorit të kthehet në një kthjellim nga dehja e fitores për të mos e shndërruar atë në një mandat për tu shtyrë e të lodhur, vetëm e vetëm se përballë ka një opozitë të shthurur dhe pa busull. Edi Rama duhet të ngrihet në nivelin e atij lideri që të tregojë se komandën që i dha populli për të qeverisur një mandat të tretë nuk duhet ta konsumojë duke afruar personazhe të inkriminuar dhe të korruptuar, me servilë që i lëpihen vetëm për interesa të tyre, me ministra e deputetë me pasuri të frikshme, apo me ministresha që nuk mund të japin më. Për të shkuar te drejtorët që janë edhe më problematikë edhe se vetë ministrat problematikë. Ata nuk duhen shkarkuar. Ata duhet të përfundojnë atje ku e kanë vendin.

GARA DHE ZGJEDHJET NË PD PËR MANDATIN E TRETË TË BASHËS

Partia Demokratike ka shpallur datën 13 qershor si ditën ku do votohet për kryetarin e ri të kësaj partie, në një garë ku kandidojnë Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj. Kjo e ka bërë piktoreske garën por ama duket se më shumë se gara bëhet për vendin e dytë se sa për të parin e ka çimetuar Basha. Kjo ka sjellë një ndarje të partisë jo më një dy, por në tre apo katër pjesë të saj. Kryetari i parë në hisytorinë e 30-vjeçare të PD kërkon një mandat të tretë në krye të PD ndëkrohë që ironikisht kërkonte të kufizonte me dy mandate qendrimin si kryeministër. Megjithatë ajo që vlen të përmendet është se gara ka sjellë çoroditje në PD. Nga shokimi i humbjes nga zgjedhjet parlamentare, në një process zgjedhjesh brend partisë nuk është një ide shumë e mirë. Kjo tregon gjendjen reale shumë të vështirë që po kalon kjo parti dhe që kryetari Basha përpiqet ta fshehë por që do ti plasë një ditë edhe pse do ketë në xhep mandatin e tretë. Atë numër mandati që ai kurrë nuk do ta kishte marrë si kryeministër.

SHKARKIMI I ILIR METËS

Më 7 maj, me 97 vota pro dhe 6 kundër parlamenti miratoi ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Ditën e premte pritet që raporti i këtij komisioni të dorëzohet në kuvend dhe pritet votimi për shkarkimin e Metës, ndërkohë që vendimi përfundimtar do e japë Gjykata Kushtetuese. Është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që kryhet një proces “impeachment”, procedura për shkarkimin e presidentit. As përpara komunizmit, as përpara rrëzimit të tij, e as pas tij, asnjë president nuk është vënë në darën e parlamentit për tu shkarkuar siç po ndodh me presidenti i 10-të në historinë e shtetit shqiptar, Ilir Meta. Duket qartë që mazhoranca do ta shkarkojë. Dhe më pas është Gjykata Kushtetese që e ka në dorë. Sigurisht që nëse kjo gjykatë e konfirmon pritet të sjellë jo pak trazim në politikë. Në Tirana këto ditë qarkullojnë lloj-lloj prognozash, historish e deri legjendash, por ajo që vlen të theksohet është se nëse ky shkarkim ndodh, pritet të ketë jo pak pasoja në politikë shqiptare.

BERISHA NON GRATA

Më 19 maj Sekretari i Shtetit Antony Blinken bëri publik vendimin për shalljen non grata të Sali Berishës dhe familjes së tij. Kjo solli shokim të politikës shqiptare. Ishe me fuqinë e bombës atomike. Piëkrisht politikani më i rëndësishëm i politikës shqiptare, dy herë president dhe dy herë kryeministër u shpall non grata nga SHBA, shteti që quhej aleati i tij personal. Me një bilanc tepër pozitiv në raportet me SHBA: vizita e parë të presidentit amerikan në 2007, shpallja e pavarësisë së Kosovës, anëtarëismi në NATO. Sali Berisha është i vetmi kryeministër në detyrë që ka një fotografi me një president amerikan në tokën shqiptare. Por qershia mbi tortë e raporteve të tij me SHBA ishte deklarata e sekretares Hillary Clinton në nëntor 2012 në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërië kur Berisha ishte kryeministër. Ne ishim 100 vjet me ju, do jemi edhe 100 vite të tjerë”. Por i gjithë ky mal u përmbys si një pirg rëre. Më e rëndësishme është se politika shqiptare ndjehet e shtangur dhe e trembur për atë që mund të ndodhë në të ardhmen. Më shumë se luftë ndaj Berishës kjo është trokitje në prag. Perceptimi është se pas kësaj shumë politikanë të rëndësishëm do kenë jo thjesht fatin e tij por mund të përfundojnë në burg. Më 20 maj ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha bëri padi ndaj sekretarit Blinken në një gjykatën korrektuese franceze për shpifje. Një padi që vetë Berisha e sqaroi duke e ndarë veten nga PD, por tani çështja është se PD nuk e ndan dot veten prej tij.

DËNIMI I ISH-KRYEPROKURORIT LLALLA

Më 20 maj Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Po në këtë vendim është shtuar se Llallës i hiqet e drejta për 5 vjet nga ushtrimi i posteve publike. Në fakt ky nuk është thjesht një dënim. Është dënuar kryeprokurori i republikës, titullari më i rëndësishëm i një institucioni më të fuqishëm në vend. Është hera e parë që titullarit të prokurorisë i ndodh kjo. Pas rrëzimit të komunzimit Shqipëria numëron 9 kryeprokurorë. Adriatik Llalla është i 7-ti në këtë aradhë, por i pari që është i dënuar kur më parë kishte një urdhër nga sekretari i Shtetit që i ndalonte hyrjen në SHBA. Në një farë mënyre ky vendim ka domethënnien se mbi ligjin nuk është as ai që kishte të drejtën të firmoste arrestimet ndaj çdokujt.

VENDIMET E GJYKATËS KUSHTETUESE

Nga fillimi i janarit kur rinisi nga puna e deri më sot Gjykata Kushtetuese ka marrë 22 vendime. Por vendimi më i rëndësishëm është ai i 25 majit lidhur me konfliktin mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama për emërimin e ministrit të Jashtëm Gent Caka. Sipas këtij vendimi, nuk ekziston konflikt mes dy instituconeve: Kryeministri propozon ministrin, ndërkohë që presidenti nëse gjen elementë që nuk janë plotësuar kriteret ka të drejtë ta kthejë këtë emër. Pra Gjykata i ka dhënë të drejtë presidenti në një konflikt që e trazoi jo pak politikën tonë por që sipas gjykatës nuk kishte asnjë asrye që të kishte konflikt. Por akoma më të rëndësishme pritet të jenë vendimet e tjera të kësaj gjykate. Kështu, më 3 qershor pritet që të japet vendimi nëse ishte e drejtë prishja e godinës së Teatrit Kombëtar. Akoma më i rëndësishëm pritet të jetë më 23 qershor kur pritet të jepet vendimi nëse zgjedhjet e 30 qershrit 2019 ishin legjitime ose jo. Më shumë se një provë e fortë për pavarësinë e kësaj gjykate, vendimet e saj pritet të ndikojnë jo pak në politikën e ditës dhe më gjerë. /Fjala.al/

Leave A Reply

Your email address will not be published.