5 orë luftë me Policinë, zbulohet arsyeja pse nuk u dorëzua kurrë 71-vjeçari

0 461

Detaje të reja nga vrasja e Lefter Zhidrus nga RENEA në Elbasan. Sipas ”Report Tv” Zhidru nuk është dorëzuar pasi ka kujtuar se vrau 2 të rinjtë në rrugë. Në lagjen e Elbasanit e cila u kthye në një fushëbetejë mes të moshuarit dhe forcave të policisë, jeta ka rinisur normalisht. Por shenja të betejës dhe ajo çka përjetuan banorët e zonës, janë mëse të dukshme. Ish-gruaja e 71-vjeçarit që e kishte denoncuar disa herë për dhunë, ka nisur vajin duke akuzuar forcat e policisë dhe gazetarët për atë që ndodhi.

Por si nisi ngjarja që përfundoi me ekzekutimin e të moshuarit nga RENEA? Ishte pikërisht një telefonatë nga ish-gruaja e Lefter Zhidru tek Komisariati i Policisë së Elbasanit për ushtrim dhune nga 71-vjeçari. Ish-gruaja ka thënë se viktima pretendonte se ajo e tradhtonte, edhe pse ishin të ndarë ata jetonin në një banesë. Fillimisht ajo ka shfaqur gjendje të rënduar por më pas ka pohuar se ish-bashkëshorti pretendonte se e tradhtonte dhe dyshohet se për këtë ka nisur edhe konfikti mes tyre.

Në momentin e mbërritjes së Policisë, Zhidru kishte nisur të qëllonte në drejtim të efektivëve me kallashnikov. Autoritetet thanë sesi pasojë e të shtënave ishin plagosur, por jashtë rrezikut për jetën, dy kalimtarë të moshës 21 dhe 22-vjeç. Pas mbërritjes së Forcave RENEA dhe rrethimin e banesës, u bë e mundur largimi i ish-bashkëshortes së 71-vjeçarit. Më pas përmes një operacioni të koordinuar, forcat speciale kanë hedhur tymuese në drejtim të banesës për t’u futur brenda saj, por me sa duket situata është përshkallëzuar edhe më tej dhe Zhidru është qëlluar, pasi ai nuk ka pranuar të dorëzohet as në fund, duke qëlluar disa herë me breshëri automatiku edhe në brendësi të banesës së tij. Negociatorët e Policisë kanë thërritur pranë banesës edhe familjarë të tjerë të 71-vjeçarit, por ka qenë e kotë pasi ai nuk ka pranuar as të bisedojë me ta. Fillimisht ka qenë vajza e tij nga martesa e parë që është përpjekur të qetësojë babain e saj por pa ia dalë.

Pas shumë orësh pritje, Policia vendosi që të ndërhynte kur ora shënonte 18:00, duke hyrë në banesën e tij dhe duke e vrarë në vend. Por pse pritën deri në orën 18:00? I moshuari nga Elbasani u vra vetëm pak momente pasi në vend ra muzgu. Kjo pasi me të rënë nata, efektivët e Policisë nuk do të kishin më fushëpamje për të ndjekur me kujdes veprimet e tij dhe i druheshin edhe një sulmi tjetër nga ballkoni i banesës. I moshuari kishte në banesën armën kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Gjatë ndërhyrjes së forcave RENEA, 71-vjeçari i ka kërcënuar se do t’i hidhte në erë.

Një tjetër pyetje që shtrohet pas kësaj ngjarje të rëndë është edhe ajo e mosreagimit të Policisë së Elbasanit ndaj këtij personi. I denoncuar disa herë si nga ish-bashkëshortja, ashtu edhe nga komshinjtë, duket se policia nuk e ka parë të arsyeshme të kryejë qoftë edhe një kontroll banese ndaj 71-vjeçarit Zhidru dhe ku ndoshta do të mund të gjente arsenalin e armëve që ai përdori ndaj forcave të policisë dhe kalimtarëve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.