Arben Ahmetaj, ministri që shkel me të dyja këmbët vendimet e KQZ

0 111

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ndalohen aktivitete publike të qeverisë që promovojnë projekte dhe investime të bëra me paratë e buxhetit të shtetit. Vendimi i KQZ ka hyrë në fuqi më 25 dhjetor dhe iu ndalon kryeministrit, ministrave, kryebashkiakëve dhe drejtorëve të administratës kryerjen e takimeve që në thelb kanë qëllime elektorale.

Në vendimin e KQZ ka një pikë që ndalon promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore. Pra, KQZ ndalon qeverinë dhe ministrat të vazhdojnë shfaqjen me dhënien e çelësave për shtëpitë që janë ndërtuar pas tërmetit. Ministri i parë i qeverisë “Rama” që nuk ka pyetur për ligjin dhe e ka shkelur atë më të dy këmbët është ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj. Në datën 25 dhjetor, kur akti i KQZ ka hyrë në fuqi, Ahmetaj është shfaqur në Maminas dhe në Shijak me çelësat e shtëpive në dorë. I ndjekur nga kamerat dhe gazetarët e ERTV-së, Ahmetaj ka shpërndarë në mënyrë pompoze si dhurata të tij personale ose të qeverisë, çelësat e dy banesave të ndërtuara së fundi.

Sigurisht që banorët që morën shtëpitë meritojnë urimin “Ti gëzojnë”. Por nga pamjet e ERTV-së duket sikur shtëpitë janë bërë me lekët e Ahmetaj apo Edi Ramës dhe jo me taksat e buxhetit të shtetit. Aq më tepër, momenti kur çelësat i dorëzojnë ministrat, duket sikur qytetarët do t’u mbeten peng përjetë zyrtarëve të qeverisë dhe ua kanë borxh votën.

Sipas vendimit të KQZ, aktivitete të tilla quhen abuzim dhe ndëshkohen me gjobë. Pavarësisht se gjoba nuk është ndonjë problem për financat e qeverisë dhe ministrave, KQZ nuk duhet të humbasë kohë dhe duhet të ndëshkojë zyrtarët. Ndëshkimi nuk duhet për lekët e gjobës, por për t’u treguar qytetarëve se ministrat që shfaqen rrugëve me çelësa në dorë si bamirës janë duke shkelur ligjin dhe duke u tallur me të gjithë. Ministri Arben Ahmetaj duhet ndëshkuar, pasi ai duke e ditur vendimin e KQZ ka manifestuar arrogancë dhe mospërfillje ndaj ligjit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.