Avokati i Popullit: Problemet që po trimërojnë policët ndaj qytetarëve

0 291

Institucioni i Avokatit të Popullit dhe inspektorët e tij kanë ndjekur protestat dhe kanë mbledhur të dhëna në lidhje me sjelljen e protestuesve dhe pretendimet e shtuara për dhunë ndaj Policisë së Shtetit.

Erinda Ballanca ishte kritike ndaj Policisë së Shtetit duke thënë se mos adresimi i problemeve të mëparshme apo rasteve të dhunës nga efektivët ka ”trimëruar” persona të veçantë në radhët e policisë, të cilët mbeten të pandëshkuar. Ballanca gjithashtu u shpreh se ka një lloj paprekshmërie të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

”Problemi është se shumica e protestuesve janë shoqëruar në polici thjesht për pjesëmarrje në protestë. Jo për veprime të paligjshme. Dhe pikërisht janë këto lloj veprimesh që në gjykimin e Avokatit të Popullit, në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë që të humbë ai besimi i nevojshëm që qytetarët duhet të kenë tek forcat e policisë. Humbja e besimit nuk është proporcionale, por fakti është ky. Policia e Shtetit duhet në fillim të verifikojë veprimet e saj të mëparshme për të parë se si i ka adresuar shqetësimet e publikut dhe problematikat e dhunës më parë. Rezultatet nuk janë të mira, ka raporte për këtë çështje. Dhe rezulton që në veprime të mëparshme që janë kryer nga Policia e Shtetit, kur ka pasur pretendime për dhunë, ato nuk janë adresuar dhe hetuar në mënyrën e duhur duke lënë persona të pandëshkuar brenda radhëve të policisë. Kjo gjë çon në trimërimin e personave të ndryshëm që mund të kryejnë veprime brenda policisë dhe pse mund të jenë pak në numër. Një praktikë tjetër e gabuar e policisë është se u garanton një lloj paprekshmërie Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë”, tha Ballanca për ”A2cnn”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.