Çfarë dimë mbi krizën në Ukrainë?

0 50

Papa Françesku bëri thirrje për zhvillim e një dite lutjesh për paqe, të mërkurën më 26 janar. Papa tha se lutjet do t’i drejtohen çdo veprimi e iniciative politike që i shërben vëllazërisë mes njerëzve dhe jo interesave partiake. Duke folur pas lutjes së tij javore në Vatikan ai tha se: “Kushdo që ndjek qëllimet e veta në dëm të të tjerëve, shpërfill thirrjen e tij si njeri, sepse të gjithë jemi krijuar të jemi vëllezër”.

Britania akuzoi Rusinë të shtunën për komplot për të zëvendësuar qeverinë e Ukrainës me një tjetër, miqësore ndaj Rusisë. Ministria e Jashtme britanike përmendi një kandidat të mundshëm që do të drejtonte qeverinë, për të cilin tha se Rusia po e shqyrton si mundësi, por nuk dha prova prova për të mbështetur pretendimet e saj.

Në një postim në Twitter të shtunën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkruante se ai autorizoi Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë të dërgojnë raketa antitank dhe anti-ajrore të prodhuara nga SHBA në Ukrainë, ndërsa tensionet Ukrainë-Rusi vazhdojnë të përshkallëzohen. Zoti Blinken falënderoi gjithashtu ish-republikat sovjetike dhe anëtarët e NATO-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës të shtunën se nuk është marrë asnjë vendim, kur u pyet nëse familjet e personelit të ambasadës amerikane në Ukrainë janë urdhëruar të nisin evakuimin prej ditës së hënë. Agjencitë e lajmeve CNN dhe Fox News njoftuan të shtunën se Ambasada e SHBA-së në Kiev i kërkoi Departamentit të Shtetit autorizimin për të lejuar të gjithë stafin jo thelbësor dhe familjet e tyre të largoheshin.

Sekretari amerikan i Shtetit Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u takuan për rreth 90 minuta të premten në Gjenevë për të diskutuar mbi Ukrainën, në një kohë kur diskutimet mbi këtë çështje nuk kanë shënuar asnjë përparim. Të dy zyrtarët refuzuar të lëvizin nga qëndrimet e tyre kryesore, por thanë se do të vazhdojnë bisedimet.

Perëndimi po kërkon që Rusia të tërheqë trupat dhe armët e saj nga kufiri me Ukrainën, ndërsa Moska po ushtron trysni që NATO të kufizojë operacionet e saj në Evropën Lindore dhe Qendrore. Rusia gjithashtu këmbëngul që aleanca perëndimore të mos lejojë Ukrainën të bëhet anëtare e NATO-s, një kërkesë që SHBA-ja e quan të papranueshme.

Zyrtarët amerikanë thonë se Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, sikurse në Bjellorusi dhe Krimenë e pushtuar./ VOA

Leave A Reply

Your email address will not be published.