Del protokolli si do të funksionojnë baret dhe restorantet, pas hapjes më 18 maj

0 110

Shqipëria po del dita-ditës nga karantina por jo nga shtetrrethimi. Pas 11 majit, Ministria e Shëndetësisë, tha se 90% e aktiviteteve do të hapet, këtë të enjte ka dalë edhe protokolli si do funksionojnë baret dhe restorantet që pritet të hapen më 18 maj. Mësohet se do të kenë rregulla strikte higjiene dhe dezinfektimi të vazhdueshëm në mënyrë që të sigurojnë shëndetin e punonjësve por dhe klientëve që do të vijnë.

Referuar udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuar në e-albania, administratorët e bareve dhe restoranteve duhet të jenë nën monitorim të vazhdueshëm të gjendjes së punonjësve të tyre dhe nuk duhet lejuar askush të vijë në punë nëse shfaq simptoma të Covid-19 dhe ka temperaturë 37.5. Nëse punonjësit shfaqin simptomat duhet telefonuar menjëherë mjeku i familjes. Çdo punonjës i bar-kafesë ose restorantit është i detyruar të deklarojë te përgjegjësi nëse ka pasur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.

Baret dhe restorantet do të punojnë deri në fashën e orarit të lejuar për të gjithë 05:00-17:30 dhe vetëm në pjesën e jashtme të tij. Gjatë hapjes së tyre baret dhe restorantet duhet të sigurojnë sapun, letër dhe dezinfektues, pastrim i rregullt i koshave të mbetjes dhe dezinfektim të të gjithë ambientit kur hapet dhe kur mbyllet, pra 2 herë në ditë. Për klientët duhet të sigurohet në hyrje një dezinfektues duarsh jo më pak se 60 % alkool. Punonjësit do të jenë gjatë gjithë kohës me maska dhe doreza dhe të dezinfektojnë dhe lajnë shpesh duart sidomos pas marrjes së parave nga klienti. Dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka shërbimi dhe banakët e lokaleve në bar dhe restorant duhet të dezinfektohet dhe pastrohet në mënyrë të shpeshtë për të shmangur çdo infektim të mundshëm me Covid-19.

Personeli i barit duhet të qëndrojë 1.5 metër larg nga klienti, ndërsa nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të tjera. Në lidhje me tavolinat duhet respektuar distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri – tjetrin nga një distancë prej të paktën 2m. Subjekti bar-kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe duhet të vendosë shenjat vizuale në dysheme, shirita me ngjyra, ose shenja për t’u treguar klientëve respektimin e distancës fizike.

Leave A Reply

Your email address will not be published.