Dy vite pa Adem Demaçin, Presidenti Meta: Maratonomaku shqiptar i lirisë. Heroi ynë për dinjitetin kombëtar

0 94

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar dy vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar dhe maratonomakut shqiptar të lirisë, Adem Demaçi. Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit thotë se Demaçi është emblema e qëndresës shqiptare dhe heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

”Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës”,- shkruan ndër të tjera Meta në facebook.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës.

Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Europës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare. Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj. Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem! Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi!

Leave A Reply

Your email address will not be published.