Fonde me pikatore për bujqësinë

0 360

Socialistët pretendojnë se bujqësia ka qenë një sektor prioritar gjatë dy mandateve të qeverisjes së tyre. Shifrat tregojnë se për fermerët jepet shumë pak, teksa këta të fundit nuk kanë besim as të aplikojnë në masë në skemat e subvencioneve, që janë me pikatore.

Gjatë dy mandateve të fundit, kryeministri Rama e ka konsideruar bujqësinë një prioritet. Por a ka qenë e tillë për qeverinë socialiste? Le të analizojmë të dhënat. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, skema kombëtare për mbështetjen e fermerëve kap këtë vit në total vlerën e rreth 9.2 milionë eurove.

Bëhet fjalë për skemën që subvencionohet nga buxheti i shtetit. Ky nivel financimi në vendet e tjera të rajonit është shumë shumë herë më i lartë. Më saktësisht, në Malin e Zi agrobuxheti i këtij viti është 61 milionë euro, ndërsa Kosova do të japë si pagesë direkte për bujqësinë 53 milionë euro. Krahasuar me Shqipërinë bëhet fjalë për shuma disa fish më të larta.

Zyrtarisht të regjistruar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë 47.516 fermerë. Ata janë të pajisur me NIPT dhe kanë të drejtë që të aplikojnë për subvencione. Nëse të gjithë këta fermerë do të aplikonin për fondin prej 9 milionë euro që AZHBR lançon, sipas një përllogaritje të thjeshtë i bie 189.4 euro për fermer. Me kaq para bujqësia nuk mund të zhvillohet dhe as për së largu nuk mund të quhet prioritet.

Nga ana tjetër, sipas asaj që ka deklaruar vetë Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, këtë vit aplikuan në skemën e subvencioneve për të përfituar nga fondi 9.2 milionë euro, gjithsej 7653 fermerë. Këta përbëjnë vetëm 16.1% të totalit të fermerëve që janë të pajisur me NIPT. Një nivel i tillë kaq i ulët i aplikimeve tregon për besueshmërinë e paktë tek institucionet dhe ky është një problem ndoshta edhe më i madh se mungesa e fondeve. /A2cnn/

Leave A Reply

Your email address will not be published.