Haga ngre akuzë kundër Hashim Thaçit, anulon vizitën historike në SHBA

0 115

Prokuroria e Hagës ka ngritur akuzë për krime lufte ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Mediat në Prishtinë raportojnë se “më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Sipas akuzës, pretendohet se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Dyshimet e prokurorisë speciale flasin për qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Donald Trup për dialogun Kosovë-Serbi, ka njoftuar në Twitter se Presidenti Hashim Thaçi ka anuluar takimin që do të mbahet në SHBA më 27 qershor. ”Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington, D.C pas njoftimit të bërë nga Zyra e Prokurorisë Speciale. Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime derisa çështjet ligjore të pretendimeve të zgjidhen”.

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për padinë e Prokurorisë Speciale kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu të PDK-së, Kadri Veseli. Në një mesazh në Facebook, kreu i shtetit shqiptar shprehet se beson në pafajësinë e drejtuesve të UÇK-së dhe drejtësinë e luftës së shqiptarëve të Kosovës.

“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë.

Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”,- deklaron Presidenti Meta në mesazhin e tij. Presidenti i Republikës është politikani i parë shqiptar që reagon nga Tirana zyrtare për padinë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Leave A Reply

Your email address will not be published.