Hapja e restoranteve dhe bareve/ Pronarët: Protokoll qesharak, kemi shkurtuar staf

0 55

Pas më shumë se dy muaj, hapja e restoranteve dhe bareve do të bëhet nga 18 maji. Teksa në Shqipëri numri i të prekurëve ndryshon nga dita në ditë, pothuajse mbi 90% e aktiviteteve janë rihapur. Hapja e bareve dhe restoranteve do të bëhet me një protokoll strikt, e cila përcakton se tavolinat duhet të vendosen në ambiente të hapura por edhe duhet respektuar distanca sociale midis klientëve. Ilir Dushkaj, sipërmarrës i një lokali në kryeqytet, u shpreh se nga 15 tavolina që ka pas mbajtur në të kaluarën, tashmë do të ketë për përdorim vetëm 5 të tilla. Protokollin e quan qesharak, ku edhe thotë se nga 14 punëtorë unë do të mbajë vetëm dy.

“Protokolli na ka ardhur dhe na jep mundësinë që nga shpina e tavolinës tek tjetra duhet të jetë një metër. Duke ndjekur protokollin, unë nga 15 tavolina do të kem 5 tavolina. Në një tavolinë duhet të qëndrojnë të paktën 5 veta dhe nga një distancë prej 1 metër, do ta shfrytëzoj biznesin vetëm 30%. (po personat e të njëjtës familje, burrë grua, prind fëmijë) Këtë protokolli nuk e ka përcaktuar. Kjo është dhe frika që do të abuzohet. Nëse klientë janë të dashur, bashkëshortë, duan të qëndrojnë dhe ngjitur por protokolli nuk e thotë këtë gjë. Këtu mund të abuzohet nga organet ligjzbatuese. Veranda është e rëndësishme për një lokal. Tani është qesharake, sepse me 5 tavolina, nga 14 punëtorë unë do të mbaj vetëm dy. Për momentin jo nuk kemi vendosur sepse edhe njerëzit kanë buxhet të vogël. Orarin unë ende nuk arrij ta kuptoj, sepse aq më i ngushtë të jetë orari aq më shumë njerëz do të vijnë”,tha për tch. Kuzhinieri, Anton Zefi, njëkohësisht pronar i një lokali në Lezhë, u shpreh se është pozitive fakti që të paktën këto shërbime do të rihapen. Paralajmëroi se me kapacitet të reduktuar, restorantet e baret do të detyrohen të rrisin koston e shërbimit.

“Përtej kësaj problematike që na ka kapluar të gjithëve, duhet të shohim dhe anën pozitive. Duhet të shohim dhe pjesën të paktën ne do t vazhdojmë, patjetër që ndikon shumë protokolli i krijuar. Për pjesën e pozitivitetit po flas që ka gjëra pozitive, që do të vazhdojnë, por ka dhe problematika që do të shkojnë në kurriz të konsumatorit. Mund të jetë e pamundur që ti të qëndrosh me këto çmime. Ti nuk hapesh me numrin e tavolinave, para se të ndodhte kjo. Tavolinat janë shumë më pak. Këtu thuhet 40 % por unë kam përshtypjen se është 70% më pak”.

Gjovalin Zeka, është pronari i një restoranti në Fishtë. Nga 50 persona që mbante në të kaluarën veranda e biznesit të tij, tashmë me rregullat e reja do të mbajë vetëm 20. Vështirësia e tij më e madhe, qëndron në lidhje me mbylljen që bëhet nga shteti gjatë fundjavave. Sepse biznesi i tij në fundjavë ka vizitorë nga Tirana, Vlora dhe Durrësi. Arbër Çepani, i cili njihet nga të gjithë dhe si fituesi i “Big Brother 1”, aktualisht ka në dispozicion një bar në Tiranë. Arbi tha se ka marrë të gjithë masat e nevojshme por kërkon dhe mirëkuptimin e shtetit. Arbi thotë se institucionet përkatëse të luajnë një rol këshillues dhe të mos vijojnë me gjoba. Sa i përket rritjeve të çmimeve, ai tha se nuk kanë menduar të ketë, sepse nëse do të ketë, biznesi do të jetë drejt falimentimit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.