Hapja e shkollave/Shahini: Bashkitë të nisin dezinfektimin, Manastirliu: Masat anti-covid

0 282

Edhe pak javë na ndajnë nga koha kur fillon viti i ri shkollor por ende paqartësitë janë të shumta dhe mënyrat sesi do të shkojnë në shkollë nxënësit. Në një komunikim të përbashkët, ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thanë se këto dy institucione po bashkëpunojnë për detajimin e protokolleve të sigurisë, për të garantuar kufizimin e përhapjes së virusit nëpër shkolla, por pa dhënë një datë të saktë për fillimin e mësimit. Shahini u kërkoi 61 bashkive të vendit që të nisin pastrimin e shkollave. Ajo tha se 87% e nxënësve duan të kthehen në shkolla. “Ne kemi bërë një pilotim të shkollave. Ne mund te ruajmë shëndetin, duke i hapur shkollat me kujdes. Gjermania dhe zvicra i hapën shkollat pa bërë shumë ndryshime. Ne duam të hapim shkollat sipas specifikave, por duke i kombinuar me mësime që zhvillohen në kushte shtëpie”.

Sipas saj skenarët janë të ndryshëm, në varësi të numrit të nxënësve për shkollë. “Ka shkolla që mund të vijojnë mësimin normalisht duke ruajtur distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta”.

Në fund ajo tha se kanë bërë një pilotim të kthimit të nxënësve në shkollë për maturantët në maj dhe funksionon si proces. “Ne mund të ruajmë shëndetin e nxënësve dhe mësuesve duke i hapur shkollat me shumë kujdes. Gjermania dhe Zvicra i bënë hapjen e shkollave pa bërë shumë ndryshime në strukturat e tyre ngaqë kanë klasë me numër të vogël të nxënësve. Franca do i ndajë në grupe, pasi ka numër të madh nxënësish. Ne duam t’i hapim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave, që kanë shkollat duke e kombinuar me mësimin online kur duhet të mbyllet një shkollë për shkak të sigurisë shëndetësore, apo një grup shkollash”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë, të përcaktuara tashmë nga ekspertët e shëndetit publik. ”Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjieno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike”.

Ministrja theksoi se nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistemike të kryera nga Qendra Europiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se ”transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si p.sh. në vendet e punës apo vendet argëtuese”.

Duke theksuar se qëllimi madhor mbetet siguria dhe shëndeti i fëmijëve, arsimtarëve, prindërve, gjyshërve dhe të gjithë qytetarëve, Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri. ”Sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore. Edhe njëherë kërkojmë bashkëpunimin e secilit prej jush për zbatimin e rregullave që na dikton normaliteti i ri, për të kufizuar përhapjen e virusit, duke mos harruar që shëndeti vjen i pari”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.