Kombi është në rrezik

0 51

Nga: Aleksandër Biberaj

Kriza e përgjithëshme kombëtare ekonomike, politike, institucionale, sociale dhe psikologjike vijon të rëndohet nga dita në ditë. Qytetarët shqiptarë të dërmuar nga qeverisja skandaloze 7-vjeçare e rilindjes, të tej lodhur nga keq menaxhimi që i bëri qeveria situatës së termetit dhe aq më keq të pandemisë, ndjehen tepër të pasigurtë për të ardhmen, pasi duket se kanë humbur përfundimisht shpresën për një jetë më të mirë. Të gjitha sondazhet e tregojnë pesimizmin dhe humbjen e shpresës, pasi gjysma e shqiptarëve duan që të ikin nga sytë këmbët nga ky vend.

Kudo ka varfëri, papunësi, skamje, mjerim, shqiptarë të keq paguar apo pensionistë me pensione simbolike. Kjo gjëndje ngjason si dy pika uji me gjëndjen e para 100 vitesh, kur prestigjiozja amerikane “National Geographic” botonte foto shqiptarësh të zhveshur dhe të zbathur, në mjerim dhe skamje të plotë, të keq ushqyer dhe të uritur me mbishkrimin “njerëz të varfër që ecin mbi arin e zi”, duke shpjeguar se Shqipëria është vend shumë i pasur, me pasuri natyrore të pafundme dhe të shumëllojshme, përfshirë edhe arin e zi, naftën, por qytetarët e saj jetojnë në varfëri ekstreme. Zymtësia, vrasja e shpresës ndjehet kudo, këtë e sheh cdo qytetar apo politikan që jeton me këmbë në tokë në mes njerëzve. Ky është edhe skenari më ogurzi i virusit-sekt-rilindje, i cili rezulton të jetë edhe më shkatërruesi që ka njohur historia e këtij vendi.

Rilindja e don Shqiperinë vetëm për vehte dhe për një grusht oligarkësh që sot vendosin gjithcka për këtë vend, dhe kjo eshtë fiks Shqipëria që Edi Rama ka 30 vjet që e ka projektuar, dhe që nga 1998 po e realizon, varësisht nga pozicionet publike që ka pasur. Ne si opozitë kemi 7 vjet që denoncojmë krimin dhe korrupsionin, propozojmë ligje dhe reformat të ndryshme, por gjithçka bie në veshin e shurdhër të arrogancës së pushtetit. Ne si opozitë dogjëm mandatet e deputetëve për të mos u bërë fasadë, dhe realisht s’kishim asnjë alternativë tjetër. Bojkotuam zgjedhjet vendore të 30 qershorit përsëri për të mos u bërë pjesë e farsës elektorale që rezultoi në votime moniste të tipi të partisë shtet. Përsëri rilindja nuk pati asnjë reagim, ndonëse u vet-votua nga më pak se 10 % e qytetarëve shqiptarë. Zhvilluam vjet 10 protesta paqësore mbarë-kombëtare, dhe përsëri arroganca qeverisëse nuk reagoi.

Opozita mbajti një qëndrim tepër dinjitoz duke i propozuar masa dhe programe konkrete qeverisë, si në situatën e tërmetit po ashtu edhe gjatë këtyre 2 muajve të pandemisë, përseri rilindja vetëm bën show dhe akuzon ironikisht opoziten, nderkohe qe opozita pervec fjales nuk ka ansje lloj pushteti. E fundit fare, kryeministri deklaroi se reformën zgjedhore do ta bëjë edhe vetë, se nuk do të ketë qeveri kujdestare që të përgatisë dhe menaxhojë gjithë procesin zgjedhor, dhe se do të legalizojë kanabisin, ndërkohë dihet që rilindja manipuloi zgjedhjet e viti 2017 dhe qëndron në pushtet me votat e krimit, korrupsionit dhe drogës se “pa-legalizuar”.
Lind pyetja, çfarë tjetër duhet të bëjë një opozitë me qëllim që të dëgjohet me qëllim që të shpëtojë vendin nga klika në pushtet, dhe se çfarë zollumesh dhe dëmesh të tjeta duhet të bëjë një qeverisje jo-legjitime që të përmbyset nga pushteti? A do ta lëmë ne qytetarët shqiptarë rilindjen që të cojë deri në fund skenarin e saj per rrënim kombëtar?

Në këto kushte unë mendoj, gjykoj dhe i propozoj lidershipit të PD-së dhe forumeve drejtuese që të marrim të gjitha përgjegjësitë tona përpara kombit, pasi nësë nuk e bëjmë sot këtë, nesër do të jetë tepër vonë dhe ne do të bëhëmi përgjegjës përpara historisë që nuk ndalëm një organizatë mafioze, kriminale, anti-shqiptarë t’ia bëjë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë që nuk ia bënë as pushtimet, as luftërat, as armiqtë më të egër të kombit shqiptar. Opozita duhet të kalojë në veprime konkrete për të përmbushur me çdo çmim, kusht, sakrificë dhe mjet demokratik misionin e saj historik për të shpëtuar kombin nga klika anti-shqiptare në pushtet, dhe se asnjeherë në historinë e njerëzimit regjimet-klika nuk vet-largohen dhe nuk zhvillojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Opozita duhet të udheheqë protesta dhe manifestime mbarë popullore në cdo qytet, në cdo shesh ne cdo rrugë, për të shpëtuar Shqipërine dhe shqiptarët, pasi KOMBI ESHTE NE RREZIK DHE DUHET SHPËTUAR!

Leave A Reply

Your email address will not be published.