Kriza në Bjellorusi dhe 47 gazetarë të arrestuar, federata: OSBE të ndërhyjë urgjentisht

0 253

55 përfaqësues të vendeve anëtare të OSBE-së, po zhvillojnë në Vjenë një mbledhje të posaçme të Këshillit të Përhershëm për situatën në Bjellorusi. Federata Europiane e Gazetarëve njoftoi se policia bjelloruse arrestoi 47 gazetarë, mes të cilëve edhe të huaj, të cilët mbulonin mediatikisht protestën e organizuar nga opozita. Policia konfiskoi gjithashtu telefonat dhe dokumentet e tyre të identitetit.

Federata Europiane e Gazetarëve i konsideron këto ndalime arbitrare dhe një akt tjetër censurimi nga autoritetet e Bjellorusisë kurse Ministria Brendshme në vend më vonë mohoi që gazetarët ishin ndaluar. Ajo tha që gazetarët ishin dërguar në Departamentin e Punëve të Brendshme për të kontrolluar nëse kishin akreditim të vlefshëm për të mbuluar situatën.

Shoqata e Gazetarëve Bjellorusë (BAJ) ka përpiluar gjithashtu një listë të gazetarëve të arrestuar në mënyrë arbitrare. Presidenti i EFJ Mogens Blicher Bjerregård, i quajti kontrollet e akreditimit si pretendim për të ndaluar gazetarët të raportonin mbi protestat masive kundër manipulimit zgjedhor dhe dhunës policore dhe u shpreh se është koha e duhur që bashkësia ndërkombëtare të reagojë.

Vala e zemërimit në Bjellorusi shpërtheu që kur Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli president me 80 % të votave Lukashenkon i cili është në pushtet prej vitit 1994. Për opozitën zgjedhjet ishin të manipuluar dhe njerëzit dolën në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Leave A Reply

Your email address will not be published.