Lamtumirë Moikom Zeqo! Politika dhe arti homazhe: Iku me pengun e një Shqipërie më të mirë

0 122

Edhe pse jemi ende duke bashkëjetuar me pandeminë e Covid-19, kjo nuk ndaloi që politika, familja, artistë dhe dashamirës, ti jepnin lamtumirën e fundit studiuesit Moikom Zeqo. Në ceremoninë e homazheve që u zhvilluan në ambientet e Muzeut Kombëtar, aty ku Zeqo kishte qenë drejtor për 8 vite, morën pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-deputetja e PS-së, Arta Dade dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi kujtojnë veprën e studiuesit.

Presidenti Meta është shprehur se Zeqon e ka njohur në kohë të vështira, duke shtuar se ai i ka dhënë shumë shoqërisë shqiptare. Sa i përket kontributit të Zeqos në Partinë Socialiste, kreu i shtetit tha se ai ka qenë një ndër kontribuesit e hapjes së PS. “Është pikëlluese edhe për mua si President. Por edhe për personalisht për t’i dhënë lamtumirën e fundit një personaliteti si Moikom Zeqo. Kam pasur fatin ta lexoj para se ta njoh. E njoha në kohë të vështira. Ai është nga ata njerëz që për njohuritë dhe dijet janë shumë të rrallë. Do ta ndjej mungesën e tij edhe për mungesën sepse dijet e tij i vuri në shërbim të kaozave kombëtare dhe në shërbim të së vërtetës. Sot po lexoja një shkrim të Spiro Dedes dhe ai e kujtonte. Moikomi kishte një përfytyrim dhe vështrim largpamës. U vendos në anën e duhur të historisë. I dha shumë shoqërisë. Kontributi në PS? Mund ta ilustroj si një personalitet që mund të kalonte me Lëvizjen Demokratike por nuk e bëri sepse ishte i majtë në bindje por i majtë me bindje demokratike. Ishte ndër kontribuesit e hapjes së PS dhe mbështetjes të të rinjve si puna ime apo e Majkos”.

Nga Kosova erdhi vetë ish-kryeministri Albin Kurti, i cili tha se “vetëm Moikom Zeqo mbështeti lëvizjen VV kur të gjithë ishin skeptikë”. I pranishëm ishte edhe presidenti Ilir Meta, i cili tha se “Zeqo e ka ndihmuar të hyjë në PS”. Kryebashkiaku Erion Veliaj u filmua teksa ngushëlloi djalin e Moikom Zeqos, Epidamin. Me lot në sy ai u shpreh se i ati nuk u vlerësua aq sa duhej kur ishte gjallë. ”Amaneti i babit nuk është përmbushur, babi kërkonte një Shqipëri më të mirë”.

Ish-deputetja e PS-së, Arta Dade tha se të gjithë shqiptarët duhet të jenë të lumtur që kishin mes tyre një njeri si Moikomi. ”Të mos hidhërohemi që na iku, por të gëzohemi që e patëm. Ka qenë nder që e patëm Moikomin mik. Lë një zbrazëtirë që nuk do të mbushte për shumë kohë. Do na mungojë në bisedat e ngrohta, por mbi të gjitha si njeri. Ishte i jashtëzakonshëm, përtej caqeve që mjaft kërkojnë ta fusin. Ai është një euridit, nuk ka lëndë që nuk ka dhënë kontribut të veçantë. Do të kujtohet me respekt dhe dashuri, siç e meritonte. Kjo ceremoni tregon që Moikomin e duan të gjithë shqiptarët”.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, tha se Zeqo nuk ishte vetëm një politikan i mirë por edhe por një njeri i mirë. ”Për mua ai mbetet shok, mik. Është pjesë e asaj kur flasim për grupin parlamentar të PS, kam në mendje grupin më të mirë që kemi pasur grupin 91-96. Ai ishte ndër më të veçantit e atij grupi. Se them se është rasti, por ai i tillë ishte. Jo vetëm ishte një politikan i mirë, por një njeri i mirë”.

Sakaq, ra në sy gjatë homazheve mungesa e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Moikom Zeqo u nda nga jeta 5 ditë më parë pasi vuante nga një sëmundje rëndë, por do të përcillet sot për në banesën e fundit, pasi pritej edhe kthimi në Shqipëri i djalit të tij.

Biografia

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku ai mbaroi edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së.

Më 1997-2005, Moikom Zeqo ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar. Zeqo autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Ai është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Ai mban Urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Moikom Zeqo është edhe Doktor i Shkencave.

Leave A Reply

Your email address will not be published.