Masakrimi i çiftit Pasho, shkrimtarja shqiptare letër kryebashkiakut italian

0 48

Ngjarja e rëndë e vrasjes së dy bashkëshortëve, Shpëtim dhe Teuta Pashos nga Vlora, në mënyrë makabër nga një vajzë shqiptare, Elona Kalesha, që ka qenë e dashura e djalit të çiftit është komentuar për shumë ditë nga mediat italiane. Ndaj tyre ka reaguar edhe shkrimtarja shqiptare Denata Ndreca, një letër e së cilës është publikuar në gazetën italiane Corriere Della Sera, me titullin “Mos e gjykoni vendin tonë”.

Ky shkrim vjen si një lloj peticioni dhe thirrje për të pavërtetat e shkruara së fundmi për popullin shqiptar, duke u nisur nga rasti i çiftit të bashkëshortëve, trupat e të cilëve u gjetën në katër valixhe. Bëhet fjalë për çiftin Pasho dhe ngjarja e rëndë është zbuluar në Firence, ku edhe Denata jeton prej vitesh. Disa nga mediat italiane kanë abuzuar me shkrimet e tyre duke e cilësuar këtë ngjarje si pjesë të kulturës dhe traditave shqiptare. Denata i ka drejtuar një letër kryetarit të bashkisë, Nardela-s.

”Nuk është hera e parë që flitet për popullin shqiptar, por kur e shkruan media është e papranueshme. Jemi të varfër, por me tradita dhe kulturë të pasur. Këto fjalë nuk i kanë pëlqyer komunitetit tonë. Është bërë një sinjalizim i të gjitha gazetave të Toscana-s që të mos flasin pa baza dhe të mos cënojnë të tjerët. Nuk mund të lidhin “besën” me “mafian shqiptare”. Para se të flasësh për një vend duhet të informohesh mirë. Unë respektoj vendin ku linda si edhe vendin ku po jetoj. Firenze është një qytet i mrekullueshëm, por i vështirë kohët e fundit. Komuniteti shqiptar njihet jo vetëm për drogën e krimin, por edhe për shumë njohuri, djersë e lodhje. Për këtë gjë mendoj se krimi i valixheve nuk duhet lidhur me traditën shqiptare. Kur flitet për një komb fjalët duhen matur mirë. “Besa” për shqiptarët është një fjalë e vjetër sa malet tona”,-shkruan Ndreca në letrën e saj.

Kur Shpëtim dhe Teuta Pasho u zhdukën në nëntor të 2015-ës, në moshën 54 dhe 52 vjeç, Elona Kalesha ishte partnerja e Taulant Pashos, djalit të çiftit. Dyshohet se Shpëtim Pasho është vrarë me thikë, në kohën kur ai po flinte gjumë, prandaj në trupin e tij nuk ka shenja dhune. Teuta Pasho është rrahur për vdekje, dëshmi për një gjë të tillë janë hematomat dhe kockat e thyera të gruas. Këtë e tregon edhe fakti se në momentin e vrasjes, çifti ka qenë i veshur me pizhame gjumi.

Pas vrasjes, trupat e tyre mësohet se janë prerë me sharrë elektrike dhe janë mbështjellë me materiale të ndryshme. Mbetjet e dy viktimave, të cilat nuk ishin të konsumuar në një shkallë të madhe, theksojnë ekspertët, mund të jenë mbajtur në frigorifer për disa kohë. Shpëtim dhe Teuta Pasho u gjetën të masakruar më 15 dhjetor në 3 valixhe, ndërkohë që një ditë më vonë u gjet e katërta, me pjesët e tjera të trupave.

Leave A Reply

Your email address will not be published.