Meta: S’pranoj cënimin e interesave kombëtare! Rama s’ka marrë autorizim nga unë për bisedimet me Greqinë

0 272

Presidenti Ilir Meta, ka pritur në një takim aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të botës akademike, të angazhuar pranë Akademisë “Rrënjët tona”, lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë, për delimitimin e zonave detare midis dy vendeve tona. Gjatë takimit Meta tha se do të vijojë të dëgjojë me vëmendje çdo zë të shoqërisë civile, ku ka theksuar se kryeministri, Edi Rama, nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë.

Postimi i plotë nga Presidenti Meta

Prita në një takim me kërkesë të tyre, aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të botës akademike, të angazhuar pranë Akademisë “Rrënjët tona”, të cilët më shprehën shqetësimet lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë, për delimitimin e zonave detare midis dy vendeve tona.

I informova se Kryeministri në detyrë, Edi Rama, nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare.

I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, se do të vijoj të ushtroj detyrat e mia me përgjegjësinë maksimale shtetërore e kushtetuese dhe se nuk do të pranoj për asnjë çast të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.