Një anëtar i ISIS u kap në Tiranë/Gjermania: Një plan për sulm në Shqipëri

0 207

Në pikun e pandemisë së Covid-19, një 24-vjeçar nga Taxhikistani, i akuzuar si pjesë e ISIS është arrestuar në Tiranë, pasi Gjermania kishte lëshuar urdhër arresti më 21 prill 2020. Komron Zukhurov, 24-vjeç kishte mbërritur nga aeroporti i Rinasit në Shqipëri dy muaj e gjysmë më parë. Arrestimi i tij është bërë mbrëmjen e djeshme në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”. Prej dy muajsh jetonte te një familje taxhakistaneze në Tiranë.

Mësohet se Zukhurov ishte shpallur në kërkim nga Interpol pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).

Nga ana tjetër, thuhet se Zukhurov ka mundur që të vijë në Shqipëri në mënyrë legale dy muaj e gjysmë më parë, para se Gjermania ta shpallte atë në kërkim ndërkombëtar dhe ka jetuar përgjatë kësaj kohe në një familje prej Taxhikistani, e cila banon në Tiranë. Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit ka akuzuar Komron Zukhurov si anëtar të artisë së Rilindjes Islamike të Taxhikistanit (IRPT), forcë politike në opozitë e konsideruar si organizatë terroriste edhe nga Bashkimi Europian. Anëtarë të tjerë të të njëjtës organizatë janë përjashtuar nga territori i BE me të njëjtën akuzë.

Deklarata e plotë e policisë

“Finalizohet me sukses operacioni “Vizitori”. Operacioni, nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas nga Taxhikistani. 24-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani.

Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Vizitori”. Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K.Z, 24-vjeç, nga Taxhikistani.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).

Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.