Pas gjobës nga KQZ, Rama krah Veliajt: Njerëzit presin të futen në shtëpitë e reja, puna për rindërtimin jo propagandë

0 327

Kryeministri Edi Rama, i cili së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishin në Zall-Herr, ku një familje tjetër ka hyrë sot në shtëpinë e re të rindërtuar pas tërmetit, ka deklaruar se gjobat e KQZ-së nuk do e ndalojnë punën e qeverisë.

Rama u shpreh se puna për rindërtimin nuk mund të quhet propagandë, po është detyrë parësore e kësaj mazhorance për t’iu gjendur sa më pranë njerëzve më në nevojë sot, familjeve që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

“Gjoba do sqarohet sepse këto s’janë inaugurime. Ne vijmë këtu që të tjerët të shikojnë se puna po vazhdon dhe që njerëzit po futen nëpër shtëpitë e tyre. Por, këta nuk kanë si ta kuptojnë këtë punë. Kjo do sqarohet se nuk është as propagandë, as inaugurim, por pjesë e informimit të të tjerëve, se ka akoma njerëz që janë në çadër, kabina dhe me qera, të cilët presin apartamentet dhe duhet t’i mbajmë me informacion, t’ju tregojmë çfarë është bërë dhe çfarë po bëhet që njerëzit të shohin realitetin”, u shpreh ai.

Në Njësinë Administrative Zall-Herr po rindërtohen 161 shtëpi individuale të shpërndara në fshatra të njësisë, si dhe 49 banesa në lagjen e re.

Leave A Reply

Your email address will not be published.