Përmbytje në gjithë Shqipërinë

0 416

Shqipëria ndodhet në pushtetin e motit të keq. Përmbytjet kanë përfshirën zonën e veriut të vendit dhe ultësirën perëndimore. Ndërkohë në jug reshjet e shiut kanë sjellë rrëshqitje të tokës në rrugët kryesore dhe izolim të banorëve.

Situata më kritike është në zonën e Shkodrës. Banorët thonë se përmbytjet në Obot mund të krahasohen vetëm me ato të vitit 2002. Në këtë zonë mund të futen vetëm mjetet e ushtrisë, ndërsa banorët janë të izoluar. Në 5 njësi administrative të Shkodrës raportohen të jenë nën ujë rreth 1500 ha tokë bujqësore, gjatë ditës së sotme, 8 janar 2021. Ana e Malit, Dajçi, Berdica, Velipoja dhe Gur i Zi janë njësitë administrative ku tokat bujqësore ndodhen nën ujë. Oboti është më i godituri pasi vërshimi i ujit ka bërë të pakalueshme rrugën që të drejton në këtë fshat.

Situata pritet të jetë dhe më e vështirë në orët në vijim. Pasditen e sotme është vendosur që të hapet një portë e HEC-it të Vaut të Dejës dhe është hapur gjithashtu edhe tuneli, duke futur në ultësirën e Shkodrës mijëra litra ujë në sekondë. Pritet që përmbytjet të shtohen brenda disa orësh dhe niveli i ujit të rritet në të gjithë Shkodrën.

Në Durrës dhe Shijak dhe Vlorë situata është po kaq alarmante. Uji ka përfshirë zona të tëra të qytetit duke dëmtuar banesat dhe bizneset në katet e para. Qarku i Durrësit është një nga më të prekurit nga përmbytjet e orëve të fundit. Në një njoftim zyrtar, bashkia e qytetit bregdetar ka bërë të ditur situatën me të cilët përballet për shkak të resheve të dendura. Sipas Bashkisë së Durrësit, rezultojnë 15 banesa nën ujë në Njësinë Administrative 6, në Sukth 4 banesa ndërsa janë zhvendosur disa familje në Rrushkull. Bashkia u bën thirrje qytetarëve që të me autoritetet për çdo rast. Ndërkohë numri i banesave nën ujë është shumë herë më i madh.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Cako tha për mediat se lumi Vjosë në Jug dhe Buna në Veri janë në limitet maksimale. Ai tha se situata është nën kontroll, por në shumë qarqe të vendit njësitë administrative kanë bërë thirrje për ndihmë nga autoritete. Në disa zona, argjinaturat e lumenjve po mirëmbahen vetëm ditën e sotme, kur vërshimi i ujit është shumë i madh.

Leave A Reply

Your email address will not be published.