Plas sherri live mes ministrit të brendshëm dhe banorëve

0 32

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka qenë në Lezhë për të parë situatën dhe është ndalur tek një pallat 12 katësh në lagjen “Besëlidhja” por i ka qetësuar banorët duke iu thënë se është i sigurt.

Nga ana tjetër në vend ka mbërritur edhe Drejtori i urbanistikës së Bashkisë Lezhë Nik Leka, i cili i ka thënë ministrit në praninë e dhjetëra banorëve se pallati është konsideruar i rrezikshëm pasi ka çarje trarësh mbajtës. Megjithatë ai thotë se duhet një ekspertizë më e specializuar.

Por ministri Lleshaj nuk e ka lejuar të flasë duke ngritur madje dhe zërin e duke i thënë disa herë ‘stop’.

Banorja: Nuk banohet në këtë pallat pa u bë ekspertiza.

Inxhinieri, Drejtori i urbanistikës: Ministër a mund të sqaroj diçka të lutem. Jam drejtori i urbanistikës. Kemi verifikuar këtë pallat bashkë me kryetarin. Në katin e tretë të banimit, në të katër anët, trarët mbajtës janë të çarë. Kemi sjellë një grup tjetër për ta verifikuar. Na duhet ekspertizë më e specializuar..

Lleshaj: Ti shefi i Urbanistikës. Ti duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik.

Shefi i urbanistikës: Nuk i kam thënë unë këto fjalë.

Lleshaj: Kush i ka thënë?

Shefi i urbanistikës: Kryetari vetë.

Lleshaj: Po kryetari çfarë është?

Shefi i urbanistikës: Në gjykimin tonë ishte shumë e rrezikshme.

Lleshaj: Çfarë është kryetari? Përhapni kot me njerëzit. Kjo është xham i gjithi, nuk është thyer një xham bëni budallallëqe kot.

Shefi i urbanistikës: Situata nuk është e mirë aspak sepse e kemi verifikuar…

Lleshaj: Stop, stop! Në qoftë se i thua vetes inxhinier mendohu mirë kur flet!

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas situatës në Lezhë ku një pallat 12-katësh është dëmtuar nga tërmeti dhe banorët janë të frikësuar, por që për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk ka vend për panik. Madje, Lleshaj debatoi ashpër edhe me drejtorin e Urbanistikës të Bashkisë Lezhë, të cilit i kërkoi që të mos përhapte panik.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Bardhi thekson se sjellja e Lleshajt ishte e papërgjegjshme dhe kriminale. Sipas tij, qeveria kërkon të fshehë të vërtetën, duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Ai i bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet ndaj ministrit të Brendshëm.

Reagimi i Bardhit: 

Sjellja e Ministrit të Brendshëm është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe kriminale! Ajo është dëshmi e gjallë se qeverisemi nga njerëz të pashpirt, që duan të fshehin të vërtetën, duke rrezikuar jetën e qytetarëve!

Drejtori i Urbanistikës së Lezhës me profesion inxhinjer, dëshmon se godina paraqet rrezikshmëri, por Ministri i Brendshëm e urdhëron të fshehë të vërtetën se banesat janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Këta qeveritarë të papërgjegjshëm, me shpirt të korruptuar janë të njëjtët individë që detyruan ekspertët të ndryshonin aktet e verifikimit për dy pallatet në Thumanë, t’i vlerësonin ato si të banueshne, duke u bërë përgjegjës për humbjen e jetës së 24 qytetarëve.

Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet ndaj Ministrit të Brendshëm për intimidimin e ekspertëve dhe tentativën e tij për t’u fshehur banorëve të vërtetën. Kjo sjellje është jo vetëm papërgjegjshmëri kriminale, por edhe shpërdorim i pastër i detyrës!

Leave A Reply

Your email address will not be published.