Presidenti Meta dekoron Rexhep Meidanin: Një burrë shteti është një politikan që vendos veten në shërbim të kombit

0 382

Presidenti Ilir Meta, ka zgjedhur të vlerësojë sot në 76 vjetorin e lindjes, ish-presidentin Rexhep Meidani me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Kreu i Shtetit e vlerësoi profesor Meidanin për kontributin e çmuar për reformën e rëndësishme të Kushtetutës, për mbajtjen e referendumit të Kushtetutës në vitin 1998, për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura, si dhe për mbështetjen për çështjen e Kosovës.

Në ceremoninë e dorëzimit të kësaj dekorate, ku morën pjesë shumë personalitete të njohura, Presidenti Meta u shpreh se ish presidenti Meidani ka kontribuar tek ideali për demokracinë dhe se tek ai duhet të marrin shembull politikanët e sotëm. Nga ana tjetër, kreu i shtetit tha se një burrë shteti është një politikan që vendos veten në shërbim të kombit.

“Të nderuar zonja de zotërinj, edukimi dhe morali krijojnë drejtuesin e mirë na mëson Aristoteli. Rexhep Meidani jo vetëm ka arritur vlerat më të larta të edukimit, moralit dhe i dalluar gjithmonë për modestinë. Jeta politike e tij është e vlerësuar nga të gjithë shqiptarët. Si President në ’97- 2002. Jo vetëm në detyrën e kreut të shtetit, por edhe më parë ka kontribuar tek ideali për demokracinë. Duke investuar gjithë kapacitetin e tij politik dhe intelektual. Po ashtu për kontributin e Referendumit të ’98 për Kushtetutën. Forca e Kushtetutës qëndron në këmbënguljen e çdo qytetari për ta mbrojtur atë. Profesor Meidani njihet dhe vlerësohet për përpjekjet e tij edhe për çështjen e Kosovës. Ai ishte Presidenti i Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë, i mikpritjes shqiptare. Roli i Meidanit ishte vlerë e shtuar për forcat politike që u shfaqën në një front e një qëndrim. Personalitet i shquar edhe në fushën akademike. Si anëtar i ASH, mbajtës i shumë titujve që nga SHBA, Greqia e Mbretëria e Bashkuar, autori i botimeve shkencore, me të krenohemi kudo. Shembull për politikanët e sotëm”, tha mes të tjerash Meta.

Kjo ceremoni solemne bëri bashkë emra të njohur të politikës shqiptare dhe asaj kosovare, ku mes tyre spikatën ish-presidentët Sali Berisha, Bamir Topi, Bujar Nishani, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, dhe kreu aktual i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.