Presidenti Meta: Pandemia nuk është luftë, por sfidë e përbashkët e qytetarëve

0 318

Presidenti Ilir Meta deklaroi se pandemia që po kalon vendi është një situatë emergjencë e panjohur më parë, por që nuk duhet krahasuar me luftën. Në një intervistë për “Nova Media”, kreu i shtetit tha se ndryshe nga sa deklaron kryeministri për një luftë, pandemia është një sfidë e përbashkët e gjithë qytetarëve shqiptarë.

“Këto masa janë vetëm në një situatë të tillë. Nuk janë për një situatë normale. Unë do t’i ndjek me shumë vëmendje të gjitha rastet apo pretendimet e qytetarëve, veçanërisht nëse do të ketë abuzime. Për mua kjo që ka ndodhur është një fatkeqësi, një pandemi. Fjala kyç që kam unë në këtë situatë është bashkëpunim, durim, transparencë që ta kalojmë të gjithë së bashku këtë situatë dhe pasi ta kalojmë këtë situatë të mund të kthehemi në dallime tona. Nëse Kryeministri preferon të thotë që kjo është luftë, unë do preferoja të thoja që është një sfidë e përbashkët e qytetarëve shqiptarë”.

Lidhur me debatin për ndryshimet në Kodin Penal, kreu i shtetit u shpreh se keqkuptimet që janë krijuar në opinion janë spekulative. “Çdo keqkuptim që bëhet midis qëndrimeve të Presidentit me manifestimin e 2 marsit dhe me ndryshimet e miratuara në Kodin Penal është spekulative, për të treguar sikur këtu ka një inkoherencë, ndërkohë që është krejt e kundërta. Duhet të kuptojmë që janë dy situata të ndryshme. Koherenca ime në mbrojtjen e Kushtetutën ka qenë dhe do të jetë e përhershme”.

Presidenti ka sqaruar se ndryshimet në Kodin Penal për përhapjen e sëmundjeve infektive ishin të nevojshme, pasi Shqipëria nuk ka pasur ligje të tilla. Ai deklaroi se me amendimet që parlamenti u bëri propozimeve të Presidentit, Kodi Penal ka standarde europiane në trajtimin e çështjeve që lidhen me përhapjen e sëmundjeve. “Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, dua t’ju sqaroj se ka patur një boshllëk dhe për këtë arsye një grup i deputetëve të mazhorancës ndërmori një nismë të papritur që krijoi shqetësim. Ndërkohë pas këtyre shqetësimeve mazhoranca kërkoi bashkëpunim në këtë rast. Duhet të kuptojmë që Presidenti kishte dy zgjidhje: që të mos bashkëpunonte paraprakisht dhe kur Kuvendi t’i bënte fakt të kryer këto ndryshime, Presidenti t’i kthente dhe mazhoranca t’i kalonte sërish. Por nuk mendoj se në rrethanat aktuale ky do ishte një vendim i drejtë nga ana ime në raport me interesin e përgjithshëm publik”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.