Propaganda e gënjeshtrës

0 379

Dr. Bledar Kurti

“E vërteta është armiku më i madh i shtetit” tha Joseph Goebbels, arkitekti i propagandës së Adolf Hitler dhe regjimit të tij nazist. “Sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë besohet ajo,” shtoi ai. Goebbels ishte bashkautor i të gjitha vrasjeve që ndodhën për shkak të Luftës së Dytë Botërore, por krimet e tij nuk përfunduan ditën që u vetëvra, por vazhduan përmes shembullit që la duke u përdorur nga qeveri diktatoriale të cilat vazhdojnë edhe sot, në zemër të Evropës, kontinenit të BE-së, vende të NATO-s, duke e konsideruar të vërtetën armike dhe gënjeshtrën si ushqim për popullin e varfër.

Sot Shqipëria drejtohet nën tezat e Goebbels. E vërteta fshihet e luftohet ndërsa propaganda e gënjeshtrës injektohet deri në palcë për t’u besuar nga një popull i tërë. Sipas propagandës së gënjeshtrës Shqipëria e meriton BE-në por janë vendet anëtare të BE-së ato që kanë probleme të brendshme dhe e vërteta e 15 kushteve të vendosura ndaj Shqipërisê, të cilat janë indikatorë për një gjendje katastrofike të qeverisjes dhe demokracisë në vend, fshihen dhe luftohen nga propaganda qeveritare. Një dekadë më parë u hoq regjimi i vizave schengen për shqiptarët ndërsa së shpejti do vendoset regjimi i vizave online me kushtëzime shtesë vetëm për shqiptarët.

Sipas propagandës së gënjeshtrës Shqiptarët jetojnë sot më mirë se dje, ndërkohë e vërteta është se 41% e shqiptarëve jetojnë në varfëri dhe kushte mbijetese me 5.5 dollarë në ditë.Në vitin 2020 borxhi ka arritur në 115%, 16.2 miliardë Euro. Nivel ekstrem i paprecedentë në 30 vitet e fundit

Sipas propagandës së gënjeshtrës bizneset kanë një hov dhe rritje ndërkohë 80% e bizneseve janë mbyllur apo rrezikojnë të mbyllen. Sipas propagandës së gënjeshtrës janë hapur, siç u premtua 300,000 vende pune. E vërteta është se as edhe një vend i lirë pune nuk është hapur, e jo vetëm kaq, me mijëra shqiptarë i kanë humbur ato. Sipas propagandës së gënjeshtrës Shqipëria nuk ka shpopullim por lirinë e zgjedhjes së emigrimit dhe 400,000 shqiptarët e larguar, ndër ta 2/3 të rinj, eksod më i madh se ai i viteve 90-të, jo vetëm që përmendet e pranohet por sfumohet si fenomen global.

Sipas propagandës së gënjeshtrës Shqipëria po përparon në të gjithë sektorët dhe renditjen nga institucionet evropiane si e para për numër azilkërkuesish në vendet e BE-së, duke lënë pas Sirinë, Irakun dhe Afganistanin, e quan trillim dashakeq. Sipas propagandës së gënjeshtrës Reforma në Drejtësi allà shqiptare është unike në botë, por nuk tregojnë që vërtetë është unike në botë por me efekte katastrofike e cila la vendin pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, shumë shpejt pa gjykata apeli, dhe për këtë arsye vendi fqinj Maqedonia refuzoi ta ndërmerrte. Për më tepër cilido që e ka kritikuar këtë reformë është etiketuar si i frikësuar prej saj apo armik i drejtësisë.

Dhe pyetjes se si do mbahet një shtet në këmbë pa Gjykatë Kushtetuese? Çfarë do bëhet me 35,000 dosjet e qytetarëve të thjeshtë që priten të shqyrtohen, për të cilat duhen 30 vjet, askush nuk i jep shpjegim. Dhe përse u veprua kundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias, përse u zhbë balanca e pushteteve, përse prej 3 vitesh mungon llogaridhënia e ekzekutivit, nuk guxon njeri t’i sqarojë. Sipas propagandës së gënjeshtrës Reforma Zgjedhore është arritje historike, por përse qeveria ka frikë nga hapja 100% e listave, koalicionet parazgjedhore, kërkesa për mendim nga ODIHR, dhe përse nuk respekton marrëveshjen e 5 qershorit e arritur me ndërmjetësimin e partnerëve Euro-Atlantik?

Sipas propagandës së gënjeshtrës demokracia dhe fjala e lirë prevalon ndërkohë ligji anti-shpifje që censuron median pritet të votohet me ngulm pavarësisht kundërshtimit nga Komisioni i Venecias dhe institucioneve të BE-së. Propagandës së gënjeshtrës i ka dalë boja sepse propaganda mbush veshët por jo barkun dhe tryezën e familjeve shqiptare. Akti më patriotik që mund të bëjë çdo shqiptar dhe shuplaka më e madhe që mund t’i jepet propagandës së gënjeshtrës është të votojë më 25 prill në emër të së vërtetës. Dhe siç thuhet në Librin e Shenjtë “E vërteta do na çlirojë.” E vërteta do çlirojë Shqipërinë dhe familjet shqiptare.

Leave A Reply

Your email address will not be published.