Rama planifikon të vjedhë 75 mandate, Mediu: 7 arsye pse Rilindja duhet rrëzuar më 25 prill

0 260

Në takimin me strukturat drejtuese të qarkut të Tiranës dhe me kandidatët e Partisë Republikane, kreu Fatmir Mediu tha se procesi zgjedhor do jetë qartësisht një përballje ndërmjet shqiptarëve dhe regjimit të korruptuar të kryeministrit Edi Rama. Teksa akuzoi Ramën se po planifikon që të vjedhë 75 mandate, Mediu rendit 7-të arsye pse Rilindja duhet rrëzuar më 25 prill. ”Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona pranë Partisë Demokratike dhe aleatëve të tjerë dhe dua t`a theksoj që ajo që kërkojmë nga PD-ja nuk është pazar, nuk po kërkojmë asgjë për PR-në, po kërkojmë që bashkë, Parti Republikane-Parti Demokratike dhe koalicioni të bashkojnë shqiptarët për t`u përballur me këtë regjim të korruptuar, dhe në këtë situatë, është e domosdoshme të vlerësohet çdo demokrat, çdo republikan, çdo qytetar, i cili do që të përballet me këtë regjim”,-tha Mediu.

Fjala e plotë e Mediut

Edi Rama deklaroi se po planifikon të vjedhë 75 mandate, për të qeverisur i vetëm përsëri dhe as faktet skandaloze të manipulimit të zgjedhjeve, as varfërimi i shqiptarëve, as shitja e interesave kombëtare, as devijimi i boshtit Euro-Atlantik të shqiptarëve, nuk ka për t`a ndalur Ramën në rrugën e tij të manipulimit, kontrollit të pushtetit, të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Pra nëpërmjet parave të blihet politika dhe nëpërmjet politikës të shtojnë paratë në interes të krimit. Rama ka arritur me sukses që t`a vendosë pushtetin dhe shtetin nën këmbët e krimit të organizuar.

Së pari, Edi Rama, është e provuar tashmë, kanabizoi Shqipërinë duke i dhënë pushtet dhe autoritet krimit të organizuar.

Së dyti, trafiku i kanabisit krijoi lidhje të forta ndërmjet qeverisë, policisë dhe grupeve kriminale në Shqipëri.

Së treti, këto grupe kriminale krijuan lidhje me mafien ndërkombëtare, veçanërisht në Itali, Hollandë, Britani dhe Spanjë dhe një përfshirje në drogat e forta, sidomos në kontrollin e trafikut të kokainës.

Së katërti, mijëra shqiptarë, është fakt tashmë, që ndodhen në vendet e Amerikës Latine, dhe janë bërë ndërmjetës të furnizimit me kokainë, jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por për shumë vende të Europës.

Së pesti, paratë të cilat u fituan nga trafiku i kanabisit, u përdorën për të blerë zgjedhjet e 2015 dhe 2017, dhe për më tepër, angazhuan grupet kriminale në blerjen dhe intimidimin e votuesve, provuar kjo tashmë me fakte, në zgjedhjet lokale, në zgjedhjet qëndrore, nga mediat ndërkombëtare, me dosje konkrete që për fatin e keq asnjëherë nuk u hetuan dhe nuk u shqyrtuan nga sistemi i drejtësisë.

Së gjashti, jo pa qëllim Edi Rama shkatërroi sistemin gjyqësor dhe në veçanti Gjykatën Kushtetuese, me qëllim kapjen e pushtetit gjyqësor dhe hapjen rrugë ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese, për t`i dhënë mundësi grupeve kriminale brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të investuar në Shqipëri.

Së shtati, Edi Rama dhe njerëzit afër tij kanë filluar dhe po bëjnë presion mbi kandidatët apo eksponentë të opozitës, tentativa për t`i blerë dhe intimiduar ata, përfshirjen dhe angazhimin e të gjithë administratës në fushatën elektorale, të gjithë struktuarave të pushtetit qëndror dhe lokal, duke përdorur të gjitha asetet e pushtetit në shërbim të këtij regjimi të korruptuar.

E vetmja rrugë për t`u përballur me Edi Ramën, është organizimi i shqiptarëve dhe kjo është detyra primare e opozitës mbi çdo gjë tjetër. Është e nevojshme që opozita të hapë sytë dhe mendjet, të bëjë të qartë që shqiptarët duhet të vendosin për fatin e tyre.

Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona pranë Partisë Demokratike dhe aleatëve të tjerë dhe dua t`a theksoj që ajo që kërkojmë nga Partia Demokratike nuk është pazar, nuk po kërkojmë asgjë për Partinë Republikane, po kërkojmë që bashkë, Parti Republikane-Parti Demokratike dhe koalicioni të bashkojnë shqiptarët për t`u përballur me këtë regjim të korruptuar, dhe në këtë situatë, është e domosdoshme të vlerësohet çdo demokrat, çdo republikan, çdo qytetar, i cili do që të përballet me këtë regjim.

Leave A Reply

Your email address will not be published.