Rudina Hajdari propozon draftin për listat: Të hapura 100 %

0 368

Deputetja Rudina Hajdari, pjesë e Këshillit Politik ka propozuar gjithashtu një draft në lidhje me hapjen e listave 100 %, ruajtjen e kuotës gjinore 30 % dhe mënyrës së shpërndarjes së mandateve. Ajo thekson se do të punojë pa pushim deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për t’ua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend.

Drafti i plotë

Të nderuar anëtarë të Këshillit Politik,

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar në datën 30.07.2020 ligjin nr. 115/2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.” Këto ndryshime të Kushtetutës kanë hyrë në fuqi në datën 7 Shtator 2020.

Është detyrë e jona si ligjvënës që sa më parë të përshtatim legjislacionin zgjedhor duke ofruar kuadrin e duhur për të implementuar këto ndryshime.

Amendamentet që ne propozojmë vijojnë si më poshtë

1. Lista e kandidatëve të Partisë do të jetë 100% e hapur, jo vetëm në cilësinë e të drejtës së zgjedhësit për të shprehur thjesht pëlqimin e tij, por mbi të gjitha duke i dhënë atij 100% fuqinë që të vendosë se kush do të jetë përfaqësuesi i tij në Kuvend.

Me këtë synim, ne kemi propozuar që renditja e kandidatëve të mos bëhet më sipas rendit numerik por sipas rendit alfabetik, duke filluar nga kandidati me gërmën “A” e kështu me rradhë. Kjo mënyrë e zhvleftëson totalisht renditjen paraprake duke i dhënë vlerë vetëm renditjes përfundimtare e cila do të vendoset në bazë të votave parapëlqyese që secili prej kandidatëve ka marrë.

Duke bërë këtë ndryshim, ne e zbatojmë Kushtetutën në gërmë dhe në frymë duke ia lënë zgjedhësit në dorë përzgjedhjen e përfaqësuesve të tij në Kuvend, teksa Partia Politike ka përgjegjësinë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

2. Numërimi i votave parapëlqyese

Duke qenë se ndryshimet kushtetuese sjellin një element të ri, si vota parapëlqyese e kandidatëve, lind nevoja që të rregullohet edhe aspekti i numërimit të kësaj vote. Me këtë synim ne kemi propozuar që numërimi i votave të zhvillohet në dy faza;

Në fazën e parë të numërohen votat për subjektet politike dhe pasi ky proçes të jetë përmbyllur të bëhet numërimi i votave parapëlqyese për secalin kandidat.

Në fazën e dytë, të drejtën për të marrë pjesë në numërimin e votave e kanë të gjitha ato subjekte të cilat në ZAZ-të (Qarkun) përkatëse, rezultojnë nga rezultatet paraprake të KQZ-së se janë përfitues mandati.

Kjo ndërhyrje ka disa aspekte positive;

Së pari i jep mundësinë cdo subjekti përfitues mandate që të bëhet pjesë e numërimit, duke shmangur kështu kontestimet e mundshme dhe duke garantuar një process të drejtë të numërimit të votave parapëlqyese.

Së dyti, duke patur përfaqësim të plotë të të gjitha subjekteve që do të jenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm, ulet në minimum mundësia e deformimit të vullnetit të elektoratit si midis subjekteve ashtu edhe brenda një subjekti zgjedhor.

Së treti, i jep mundësinë e rifreskimit Grupeve të Numërimit të cilat do të kenë dalë nga një proçes i lodhshëm i numërimit të votave të partive politike.

3. Garantimi i përfaqësimit me 30% e gjinisë më pak të përfaqësur

Në këto amendamente të Kodit Zgjedhor ne kemi parashikuar një mekanizëm për garantimin e përfaqësimit të gjinisë më pak të përfaqësuar duke i dhënë mundësinë atyre kandidatëve të kësaj gjinie që kanë marrë më shumë vota se të tjerët Brenda të njëjtës gjinie, të zëvendësojnë kandidatin e gjinisë së kundërt, me më pak vota Brenda gjinisë së tij, në rastet kur përfaqësimi i gjinisë është më pak se 30%. Në këtë mënyrë ne sigurohemi që gjinia është e përfaqësuar, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër stimulojmë garën sit ë barabartë për të gjitha gjinitë. Ne jemi të bindur gjithsesi se ky mekanizëm nuk do të ketë aspak nevojë të përfaqësohet, për shkak se gjinitë në Shqipëri do të arrijnë vetë të përfaqësohen, sic ka ndodhur edhe në vendet e tjera ku janë aplikuar listat 100% të hapura.

4. Shpërndarja e mandatateve

Në amendementet e paraqitura ne i japim peshë 100% elektoratit në shpërndarjen e mandateve si për partitë ashtu edhe për kandidatët duke i shpërndarë ato te ata kandidatë që kanë më shumë vota parapëlqyese. Në këtë mënyrë shpërndarja do të bëhet në këtë formë: Si fillim përcaktohen mandatet që merr çdo parti sipas rezultateve të KQZ dhe më pas shpallen kandidatë fitues ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota parapëlqyese Brenda partisë që përfiton mandate, duke respektuar edhe rregullin për përfaqësimin 30% gjinor. Në këtë formë, Partia Politike ka peshë absolute në përcaktimin e kandidatëve, pra në formulimin e ofertës politike, ndërsa elektorati ka peshë absolute në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tij në Kuvend duke aplikuar drejt dhe pa asnjë shtrembërim ndryshimet e Kushtetutës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.