Shkatërrohet natyra. Digjen pyjet dhe kullotat nga jugu në veri

0 14

Natura po shkatërrohet. Pyjet dhe kullotat e vendit nga veriu në jug, janë nën ”sundimin” e flakëve. Thuajse të gjitha bashkitë e vendit janë raportuar vatra zjarri, por aktualisht me problematiket mbeten ato në pyllin e Semanit dhe në territoret e Shkodrës dhe Lezhës, ku prej ditësh vazhdojnë të digjen sipërfaqe me pyje dhe kullota, ullishte dhe pemëtari.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nga 329 vatra zjarri që janë konstatuar që nga janari, 168 janë shënuar vetëm gjatë muajit korrik, duke djegur qindra hektarë dhe duke shkrumbuar mijëra rrënjë ullinj dhe pemëtari.

Paçka pse autoritet dhe shërbimet zjarrfikëse raportojnë se shumica e vatrave të zjarrit gjatë kësaj periudhe janë të qëllimshme, deri tani nuk ka ndonjë person të evidentuar dhe aq më pak të ndaluar nga Policia.

Forcat zjarrfikëse dhe të ndihmuara nga forcat e ushtrisë e banorët e zonave, janë në përpjekje të vazhdueshme për të vënë nën kontroll flakët, por ka edhe zona të tëra që po digjen në gjendje të lirë pasi terreni e bën të pamundur afrimin e mjeteve apo njerëzve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.