Situata e rëndë nga Covid-19, Mediu: Sistemi shëndetësor është në kaos

0 316

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në takimin me kryesinë e grave të PR-së, tha se roli dhe angazhimi i tyre në fushatë është një vlerë e madhe politike dhe elektorale për opozitën. Në çdo njësi zgjedhore, strukturat e Forumit do të jenë në drejtim dhe kordinim të fushatës elektorale. Nga ana tjetër, Mediu duke u nisur nga situata e rëndë e pandemisë, tha se infektimi i popullsisë është tashmë masiv.

”Natyrisht që vlerësoj të gjithë mbështetjen dhe punën e mjekëve dhe personelit shëndetësor. Janë me të vërtetë luftëtarë, të cilët meritojnë respektin e gjithësecilit nga ne, por nga ana tjetër, përkujdesja e shtetit dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të shëndetësisë në Shqipëri, tregon që është në një katastrofë totale.

Pamundësia për të përballuar këtë situatë dhe sidomos situatat e vështira për të mbështetur në emergjencë qytetarët që kanë nevojë, tregon qartë një perspektivë shumë shumë të rëndë përsa i përket jetës së qytetarëve shqiptarë. Për më tepër më shumë një teatër të kryeministrit dhe të atyre që janë rreth e rreth kryeministrit për menaxhimin e kësaj pandemie dhe sidomos në raport me garantimin e vaksinimit të popullsisë. Me ritmet me të cilat po vaksinohet popullsia shqiptare do të ketë një kohë të gjatë, ku shumë familje do të vuajnë, për fatin e keq shumë të tjerë, njerëz, qytetarë të pafajshëm do të humbasin jetën.

Asnjë vend tjetër në rajon nuk po bën atë që po bën Shqipëria. Të gjitha qeveritë e vendeve në rajon janë angazhuar në mbështetjen e qytetarëve të vet, me vaksinimin, me mbështetjen shëndetësore dhe me mbështetjen financiare. Dua t’u them që kostot e trajtimit të Covid-19 në spitalet private janë të jashtëzakonshme, përfshijnë vlerën e të ardhurave vjetore të cdo familje, dhe pasojat ekonomike, pasojat në shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë do të krijojnë një pandemi jashtëzakonisht të madhe në të ardhmen e këtij vendi”,-tha Mediu.

Teksa foli për programin e PD-së, Mediu theksoi se është një plan shpresëdhënës dhe real për kapërcimin e pasojave që ka krijuar regjimi i korruptuar sipas tij i Edi Ramës, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në element të tjerë shumë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me funksionimin e demokracisë shqiptare dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.

”Ajo që është e domosdoshme sot është që ky program që është paraqitur nga Partia Demokratike, duhet patjetër të integrohet me programet e partive të tjera të opozitës, për të krijuar programin e qeverisjes së qytetarëve shqiptarë, në interes të Shqipërisë, në shërbim të interesave tona kombëtare. Për më tepër, është e domosdoshme që në këtë situatë të rëndë, të një krize politike, të një krize institucionale, krize morale, ekonomike, ne të thërrasim në mbështetje të interesave të Shqipërisë, kualitete të cilat të ofrojnë në fushën e kulturës, të mjekësisë, ekonomisë, një qeverisje kualitative. Pra është e rëndësishme që ky program po ashtu të shoqërohet me njerëz kualitativë, të cilët do të jenë pjesë e qeverisjes së nesërme dhe jo vetëm thjesht njerëz të politikës opozitare”,-u shpreh më tej kreu i PR-së.

Leave A Reply

Your email address will not be published.