Thaçi në Hagë, Krasniqi: Nisma duket politike

0 345

Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill. Analisti Afrim Krasniqi, thekson se ngjarja ka lidhje me pritshmëritë që kishte takimi i Uashingtonit më 27 qershor, mes Kosovës dhe Serbisë.

”Ngjarja ka lidhje me bisedimet dhe ka lidhje me pritshmëritë që kishte takimi i Uashingtonit dhe ndoshta duhet të presim edhe pak kohë për të parë nëse ka pasur edhe faktorë të tjerë të përfshirë për shkak të kritikave që kanë ardhur nga BE-ja në raport me nismën e marrë nga Uashingtoni. Por, në praktikën ndërkombëtare, gjykata të tilla, pavarësisht se janë profesionale, nisen nga individë të pavarur, në thelb vendimmarrja e tyre është mes pavarësisë profesionale dhe qëllimeve politike. Në këtë lloj këndvështrimi, akti i sotëm është më shumë politik, pasi është një akt i publikuar përpara se të marrë një vendim gjykata. Vetë fakti që nisma për të penguar procesin është një argument politik dhe jo ligjor. Ajo që ndodh sot në Kosovë është një goditje e madhe ndaj imazhit të saj ndërkombëtar, në bisedimet në Uashington dhe hap një spirale të re të një krize politike, e cila mund të ketë pasojë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”,-tha në A2.

A do ta japë dorëheqjen në këtë situatë Thaçi?

Varet se si do të shkojë procesi i gjykimit dhe nëse gjykata do t’i marrë në konsideratë akuzat e prokurorit, por është e pritshme që kryetari i shtetit kur akuzohet të mos jetë njëherësh kryetar shteti. Për mua e rëndësishme është se kush e përfaqëson sot Kosovën, pasi koalicioni është i dobët. Për shkak të dobësisë së qeverisë, Kosova ngelet në një nivel shumë më të ulët se pala serbe dhe kam frikë se nuk do të arrijë dot të përfaqësohet si duhet”.

Çfarë produkti mund të sjellë takimi i Uashingtonit?

Unë personalisht pres që të mos ketë marrëveshje të rëndësishme pas zhvillimit të sotëm. Në kushtet që ndodhet Kosova, Hoti do të duhej të krijonte një koalicion të vullnetit të mirë, në mungesë të presidentit dhe të ish-kryetarit të parlamentit. Kosova do të duhet të bëjë maksimalen për të pasur një përfaqësim sa më solid. Frika sot në Kosovë nuk është se individi do të shkojë në burg, por çfarë pasojash do të ketë në raport me Serbinë dhe në raport me ndërkombëtarët.

Leave A Reply

Your email address will not be published.