Ukraina, eksodi i pritshëm, Shqipëria

0 182

PËLLUMB NAKO

Në këtë agresion të Rusisë mbi Ukrainën Shqipëria u rreshtua natyrshëm në krah të NATO-s. Madje, vetë ministrja jonë e Jashtme bëri deklarime vërtet mbresëlënëse me vendosmërinë e saj. Tashmë konflikti ka filluar. Në median botërore shfaqen pamje largimesh masive të qytetarëve të shumtë nga Kievi, bombardime të ushtrisë ruse.

Skenarët e mëtejshëm mund të jenë të shumtë. Nuk duket se ka qartësi për përmasat e shtrirjes së tij, nëse do të mbyllet pa marrë përmasa të një agresion në shkallë të gjerë apo do të kufizohet vetëm në disa zona tashmë të njohura për Rusinë. Megjithatë, të paktën në vendin tonë, nuk duket se dikush nga qeveria mund të dijë me saktësi se si do të shkojë filli i konfliktit.

Nga ana tjetër, deklarimet politike si në Shqipëri dhe në Kosovë lidhen direkt me mundësinë që vala e dhunës në Ukrainë të pasohet nga valë të tjera në rajonin tonë për të acaruar klimën e deritanishme në të, ku pikat më të dobëta mbeten Bosnja dhe Kosova. Thënë me fjalë të tjera, gjithçka përqendrohet në komponentin ushtarak. Ndërkohë, të paktën publikisht, deri më sot, nuk kemi ndonjë deklarim publik nga qeveria nëse ka ndonjë plan apo strategji për pritje të mundshme valësh me refugjatë që i largohen luftës.

Qenia e vendit anëtar i NATO-s ka avantazhet e padiskutuara, por ka edhe detyrimet e mundshme në ndarjen e kuotave për pritjen e të zhvendosurve nga lufta. Për hir të së vërtetës, për këtë aspekt tashmë ka një eksperiencë, por megjithatë rasti rastit nuk i ngjan. Për probleme të kësaj natyre asnjëherë nuk është shpejt. Efekti i parë i çdo konflikti ushtarak të brendshëm apo ndërmjet shteteve, dihet që janë zhvendosjet masive të popullatës së pafajshme, viktimë e zakonshme, drejt zonave më të qeta. Për më tepër që problematika mund të përkeqësohet në kushtet kur kemi ende Covidin nëpër këmbë. Ky problem bëhet prezent për faktin se konflikti që është duke u zhvilluar në Ukrainë nuk është i ngjashëm me rënien e menjëhershme të qeverisë në Afganistan.

Në rastin e këtij të fundit, ishte fare normale mungesa e parapërgatitjes për pritje, sepse gjithçka ndodhi me shpejtësi të madhe. Por, nga ana tjetër, specifikë e ndryshme e kësaj situate ishte edhe fakti se SHBA dhe vende të tjera të fuqishme europiane kishin gjithë mjetet e duhura në dispozicion për të garantuar në kohë rekord planifikim, organizimin, shpërndarjen dhe transportin e gjithë refugjatëve. Madje, edhe pagesën për mbajtjen e tyre. Në rastin konkret, qeverisë sonë i mbeti të sigurojë ambientet ku do të strehoheshin refugjatët e megjithatë i futi ata përkohësisht në Qytetin Studenti. Kontributi i saj u alokua me një buxhet prej 65 milionë lekësh për rikonstruksionin e Qendrës së Pritjes së Azilkërkuesve.

Aq më tepër që refugjatët afganë janë akoma në vendin tonë të strehuar dhe studentët janë në konvikte sepse universiteti nuk është mbyllur për shkak Covidi. Duke lënë mënjanë buxhetin e mësipërm dhe zhurmën e bërë me këtë rast për mikpritjen shqiptare, për ndarjen e bukës me kripë bashkë me hallexhiun, deklaratat vetëlavdëruese nëpër kanalet botërore televizive, këtë radhe situata e pritshme duket se do të jetë e ndryshme e për rrjedhim edhe sfidat për t’u përballur me to. Të paktën sipas deklarimeve të bëra nga vetë Kryeministri, në rastin e afganëve, ishte vetë qeveria ajo që u ofrua vullnetarisht për pritjen e tyre dhe mirë bëri.

Tashmë i madh e i vogël e njeh qëndrimin e saj kur në krye punëve dhe të operacionit humanitar konkretisht, ndodheshin SHBA. Dhe këta të fundit nga ana e tyre morën përsipër transportin e një pjese të administratës, të aktivistëve të ndryshëm të organizatave joqeveritare që kishin bashkëpunuar ngushtë me ushtrinë dhe autoritetet amerikane.

Gjithsesi, kjo është një çështje, e cila i përket një vendi tjetër. Ndërsa në rastin e mundshëm të Ukrainës, qeveria shqiptare nuk do të ndodhet në të njëjtin kontekst. Të paktën me sa duket deri tani, nëse do të ketë eksod masiv të ukrainasve, SHBA nuk ka ndonjë arsye për të marrë përsipër menaxhimin e refugjatëve. Në këto kushte dhe një vullnetarizëm i mundshëm i qeverisë sonë, nuk do të bjerë në sy të amerikanëve e për rrjedhim nuk ka përfitim politik.

Pavarësisht se për përfitimin politik nuk ka përse të krijohen kompleksitete. Është normale që në raste të tilla ky përfitim të vijë nga një humanizëm që qëndron në palcën e shqiptarëve, që vendi ynë të zërë vend dinjitoz në arenën ndërkombëtare, edhe pse duket sikur përfituesi është vetëm Kryeministri. Pra, konteksti i mundësisë së refugjatëve ukrainas mbetet i ndryshëm.

Ata do të jenë pak a shumë si kategoria e atij djaloshit afgan, i cili ra nga lartësia kur u ngrit avioni që po evakuonte një sasi njerëzish. Dhe për ta nuk ka ndonjë qeveri nga pas për të paguar. Pra, do të ishte e udhës që të paktën qeveria të shprehte gatishmërinë e saj për të pritur refugjatë nga Ukraina, për më tepër që në këtë vend ka edhe shqipfolës. Në këtë kontekst, i pari si zakonisht është aspekti financiar.

Ka qeveria ndonjë strategji, të paktën në parim, për të qenë e gatshme të alokojë një sasi parash që ajo e gjykon të mundshme për të pritur refugjatët e mundshëm më forcat e saj financiare? Cila mund të jetë kuota e refugjatëve që mund të presë Shqipëria? Ku do të akomodohen? Si do të garantohet shërbimi për ta? Sigurisht, përgjigje për këto pyetje ka, por ato duhen konkretizuar në projekte dhe sa më shpejt.

Leave A Reply

Your email address will not be published.