Vaksina anti-covid, Brataj sqaron nëse mund të vaksinohen alergjikët

0 275

Në Shqipëri po vijon procesi i vaksinimit, ndaj dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka dhënë detaje rreth vaksinimit të mundshëm të personave që vuajnë nga alergjitë. Brataj ka publikuar të dhënat e një studimi të fundit, teksa sqaron se sipas këtij studimi personat me alergji mund të imunizohen pa probleme, pasi vaksinat janë të sigurta. ”Vetëm individët që kanë pasur një reaksion të mëparshëm të rëndë alergjik ndaj polietilen glikolit, një nga përbërësit e vaksinës, duhet të kërkojnë këshilla nga specialisti, i cili do të jetë në gjendje të kryejë teste për të hetuar çështjen”,-thekson ndër të tjera Brataj.

Postimi i plotë

Shumë qytetarë me sëmundje të ndryshme, por sidomos me alergji i janë drejtuar faqes tonë dhe mua personalisht, nëse mund të vaksinohen apo jo! Po sjell një publikim shkencor të ditëve të fundit mbi këtë argument. Vaksinat mRna për Covid-19: Personat me alergji mund të imunizohen pa probleme! Vaksinat kundër Covid-19 janë të sigurta për personat me alergji të rënda të shkaktuara nga ushqimet, medikamentet, latex dhe helmit të bletës, sipas një studimi të botuar në Journal of Alergy and Clinical Immunology: In Practice. I vetmi kundërindikacion që “Food and Drug Administration “(FDA) rekomandon, është që individëve me histori të njohura nga reaksione të rënda alergjike ndaj ndonjë prej përbërësve nuk duhet ta bëjnë vaksinën kundër Covid-19!

Vaksinat kryesisht kanë përbërës të ndryshëm si:

• Vetë antigjeni imunizues që përfaqëson përbërësin aktiv që mund të formohet nga një molekulë e vetme ose nga një kompleks substancash;

• Tretësirë fiziologjike ose ujë i distiluar steril.

• Konservantë: një nga konservuesit më të përdorur gjerësisht në përgatitjen e vaksinave është timerosali (ose tiomersal ose mercuriotiolatuar);

• Stabilizues, xhelatinë dhe albuminë, të përdorura në disa vaksina për të stabilizuar antigjenin;

• Antibiotikë (neomicina, streptomicina, kanamicina): përdoren në doza shumë të ulta për të parandaluar rritjen e baktereve;

•Adiuvatët (ndihmës): këto janë substanca që i shtohen vaksinës, rrisin imunogjenitetin, përmes aktivizimit dhe / ose zgjatjes së efektit stimulues dhe kështu lejojnë të zvogëlojnë sasinë e antigjenit dhe numrin e dozave. Adjuvantët zakonisht përbëhen nga grimca mikroskopike (alumini, kripëra alumini) me të cilat shoqërohet substanca imunogjene. Përdorimi i tyre është thelbësor kur përbërësit e vaksinës përbëhen nga anatoksina ose antigjene të thjeshta proteinike (peptide), të marra me teknikën e ADN-së rekombinante.

Reaktogjeniteti i një vaksine është aftësia për të nxitur efekte të padëshirueshme dhe mund të lidhet me përbërësit e vaksinës (antigjen imunizues, përbërës, konservatë dhe stabilizues), gabime të administrimit dhe karakteristikat e pacientit. Për OBSH, mbikëqyrja e efekteve anësore të vaksinës është një pjesë integrale e të gjitha programeve të vaksinimit, së bashku me mbikëqyrjen epidemiologjike të sëmundjeve të trajtuara. Të gjithë këta elementë që shkruam më lart nuk janë të gjitha së bashku përbërës të një vaksinine. Një ose dy prej tyre mund të jenë pjesë e një vaksine. Prandaj është e rëndësishme kur shkoni te mjeku të referoni llojin e allergjisë dhe shkaktarin nëse e njihni atë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) gjithashtu këshillon që personat me histori reaksioni të menjëhershëm alergjik ndaj një vaksine ose medikamenti, pas injektimit të vaksinës të rrinë në vëzhgim 30 minuta pas vaksinimit për Covid-19. Të gjithë individët e tjerë duhet të vëzhgohen për 15 minuta. “Raportet e reaksioneve të mundshme alergjike kanë ngritur shqetësimin e publikut. Për të dhënë siguri dhe mbështetje gjatë fushatës globale të vaksinimit, alergologët dhe specialistët e tjerë duhet të ofrojnë udhëzime të qarta për individët, bazuar në informacionin më të mirë të disponueshëm, por gjithashtu në përputhje me rekomandimet e agjencive rregullatore”, shpjegon Kimberly Blumenthal, nga Spitali i Përgjithshëm i Massachusetts, autore e këtij studimi.

Kërkuesit shkencor ekzaminuan të dhënat e më shumë se 65,000 njerëz të imunizuar me vaksinat Pfizer dhe Moderna, dhe zbuluan se reaksionet e rënda alergjike ishin shumë të rralla. Pas kryerjes së një vlerësimi të rrezikut, ekspertët sugjerojnë që një triazh fillestar me pyetje të thjeshta dhe të qarta është i mjaftueshëm për të identifikuar se kush mund të marrë vaksinat dhe se nuk ka nevojë për një vizitë alergologjike. Vetëm individët që kanë pasur një reaksion të mëparshëm të rëndë alergjik ndaj polietilen glikolit, një nga përbërësit e vaksinës, duhet të kërkojnë këshilla nga specialisti, i cili do të jetë në gjendje të kryejë teste për të hetuar çështjen. “Me përvojën, ne jemi në gjendje të ngushtojmë ndjeshëm grupin e pacientëve me alergji të mëparshme të cilët kërkojnë vlerësim specialisti para vaksinimit për Covid-19”, përfundon Blumenthal. J Allergy and Clinical Immunology: In Practice 2021. Doi: 10.1016/j.jaip.2020.12.047 https://doi.org/10.1016/j.jaip.2020.12.047

Dr.Skender Brataj

Leave A Reply

Your email address will not be published.