Venecia i jep të drejtë Metës: Zgjedhja e Arta Vorpsit nuk është e vlefshme

0 362

Komisioni i Venecias ka miratuar sot dy opinionet zyrtare lidhur me Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin për median në Shqipëri, ku rrëzohen qëndrimet e qeverisë “Rama”. Dokumenti final i Venecias për debatin për Gjykatën Kushtetuese i jep të drejtë përfundimisht kreut të shtetit, Ilir Meta lidhur me emërimin e anëtarëve të kësaj gjykate. Dokumenti thotë shprehimisht se zgjedhja e Arta Vorpsit nga Parlamenti nuk është e vlefshme, për sa kohë që Presidenti ka paraqitur ankesa për procedurën e ndjekur.

“Komisioni konkludon se në një situatë të paqartësisë dhe në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale, emërimi si parazgjedhje i një kandidati në atë Gjykatë nuk duhej të konsiderohej i vlefshëm, pasi Presidenti kishte ngritur  pyetje në lidhje me interpretimin e procedurave”,- thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit të Venecias për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Në opinionin e ekspertëve të Venecias thuhet se “për sa kohë që mungesa e kandidatëve vazhdon dhe listat përbëhen nga kryesisht të njëjtët kandidatë, dhe disa emërime duhet të bëhen në të njëjtën periudhë, Presidenti dhe Kuvendi (dhe Gjykata e Lartë, nëse fillon të funksionojë së shpejti) duhet të pajtohen për procedurën që duhet të ndiqet në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Në pritje të një konsensusi për interpretimin e procedurës së emërimit, KPK duhet t’i dërgojë listat në Kuvend, menjëherë pasi Presidenti të ketë vazhduar me emërimin e tij, ose pas 30 ditësh nëse nuk do të bëjë emërimet”.

Nga ana tjetër, në planin afatgjatë, ekspertët e Venecias rekomandojnë thjeshtimin e modelit të emërimeve të miratuara në Kushtetutë në vitin 2016.

Në përfundim, Komisioni i Venecias argumenton se duhet dialog dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore. “Komisioni i Venecias nënvizon nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim midis institucioneve shtetërore. Mandatet dhe fuqitë e tyre duhet të respektohen, në mënyrë që ata të përmbushin objektivat e tyre institucionale, gjithmonë duke kërkuar më të mirën për qytetarët e Shqipërisë”,- thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Leave A Reply

Your email address will not be published.