Virusi që ndryshoi botën

0 105

Në një hapësirë kohe prej vetëm disa javësh, pandemia e Covid-19 e ka ulur në gjunjë brezin më të aftë në aspektin teknologjik. Pavarësisht kontrollit tonë mbi natyrën, kriza tregon se institucionet tona politike nuk janë më të përshtatshme për këtë qëllim dhe duhet të bëhen nga e para. Pandemia e Covid-19 ka ekspozuar pa mëshirë dobësitë e institucioneve mbi të cilat mbështetet shumica dërrmuese e njerëzve të botës. Kjo përfshin si qeveritë kombëtare ashtu edhe rendin ndërkombëtar. Shumë kohë para se komentuesit të shpallnin ardhjen e “Antropocenit”, një epokë gjeologjike e përcaktuar nga komandimi e njerëzimit mbi natyrën – ishte një truizëm në ekonomitë e përparuara të industrializuara që bota ishte nën kontrollin tonë. Më pas erdhi një organizëm mikroskopik dhe me të një tronditje globale. Pavarësisht të gjitha njohurive tona shkencore dhe aftësive teknologjike, COVID-19 është ai që ka pushtetin, të paktën për momentin.

Duke si për ironi, vendet më të përparuara dhe më të fuqishme në botë ishin ndër më pak të përgatiturat për pandeminë. Duke shpenzuar qindra miliarda dollarë për kërkime dhe zhvillim, ato kanë teknologjitë dhe ushtritë më të forta në botë, por ato nuk e morën seriozisht rrezikun që kërcënimi tjetër i madh mund të vinte nga natyra. Tani e dimë se ky ishte një gabim i përmasave historike. Në fillim, kriza e Covid-19 duket se po forcon institucionet e përforcuara. Shteti-komb tradicional ka marrë përsipër detyrën e menjëhershme të frenimit të virusit dhe pasojave të tij ekonomike, dhe institucionet multilaterale të pas luftës kanë luajtur vetëm një rol mbështetës. Edhe në Europë, shtetet kombe dhe jo Bashkimi Europian, po udhëheqin luftën kundër pandemisë.

E megjithatë, kjo tregon për një konceptim të gabuar. Sistemi ndërkombëtar përfshin shtete me madhësi shumë të ndryshme, me shkallë të ndryshme pushteti, por të gjitha përqafojnë mitin e vjetër të sovranitetit kombëtar. Ky sistem, siç e njohim ne, doli nga hiri i luftërave fetare të Europës në shekullin e XVII, duke e konsoliduar veten nëpërmjet kolonializmit dhe më pas dekolonializimit (edhe vetë ky një reagim i lindur nga shtete të reja kombe).

Në gjysmën e parë të shekullit XX, trauma e dy luftërave botërore dhe ardhja e epokës bërthamore demonstruan nevojën për një reformë rrënjësore të sistemit ndërkombëtar. Risia kryesore ishte krijimi i Kombeve të Bashkuara si kundërpeshë ndaj pretendimeve të shteteve-kombe. Transnacionalizmi u bë tipari i ri dominues: të gjitha shtetet-kombe pritej të frenonin egoizmin e tyre dhe të ruanin paqen dhe bashkëpunimin përmes një kuadri institucionesh globale. Në realitet, natyrisht, pushteti nuk iu dorëzua kurrë Kombeve të Bashkuara. Ai qëndronte ende në duart e e superfuqive të botës, pra, anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Si rezultat, sistemi ndërkombëtar u mbështet për dekada në një kompromis të nënkuptuar midis nacionalizmit dhe transnacionalizmit, me Amerikën duke ruajtur dhe duke operuar brenda kuadrit multilateral. Por, që kur presidenti Donald Trump erdhi në pushtet, Shtetet e Bashkuara nuk janë ndjerë më të detyruara për asgjë.

Siç ndodh, periudha pas Luftës së Dytë Botërore është gjithashtu ajo kur bota hyri me të vërtetë në Antropocen, duke përqafuar plotësisht idenë e përparimit material të drejtuar nga njeriu në nivelin global. Gjatë dekadave pasuese, popullsia e botës u rrit në mënyrë dramatike, nga rreth 2.5 miliardë në rreth tetë miliardë që është sot. Megjithatë, Antropoceni ka qenë gjithashtu një periudhë zhdukjesh masive. Dhe ndërkohë që gjithnjë e më shumë pjesë të botës janë industrializuar, konsumi i burimeve natyrore është rritur. Një rezultat i kësaj është se ngrohja globale antropogjene ka arritur në një fazë të rrezikshme përpara se në të mund të hartojmë përgjigje të përshtatshme. Në të njëjtën kohë, teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit, ndryshimet në shpërndarjen e punës dhe rritja e zinxhirëve të vlerës globale kanë çuar të gjitha në rritje të ndërvarësive. Por tani që një virus ka ndalur të gjithë botën, ne po mësojmë se një ekonomi e globalizuar është si një makinë garash me performancë të lartë: shumë efikase dhe shumë delikate.

Duke parë përpara, shteti-komb tradicional – qoftë edhe një aq i fuqishëm s SHBA-ja ose Kina – nuk do të jetë në gjendje të menaxhojë një botë të ndërlidhur me më shumë se tetë miliardë banorë. Horizonti i interesave i shtetit-komb thjesht është përkufizuar shumë ngushtë. Antropoceni në mënyrë të pashmangshme do të theksojnë rritjen e interesave të përbashkëta të njerëzimit, jo vetëm çështjen e vazhdimit të mbijetesës së tij. Pandemia e COVID-19, e cila në fund do të kërkojë koordinim ndërkombëtar, po tregon se interesat kombëtar përfundimisht do të duhet të zvogëlohen. Krizat që vijnë nga ndryshimet klimatike do të jenë shumë më të mëdha dhe pasojat e tyre janë të pakthyeshme.

Ndërsa shtetet-kombe do të mbeten të domosdoshme për të siguruar qeverisje të mirë dhe për të kontribuar në përpjekjet globale, parimi i nacionalizmit thjesht do të përkeqësojë krizat sistematike në të ardhme. Pandemia duhet të pasohet nga një epokë e re bashkëpunimi ndërkombëtar dhe nga një forcim i institucioneve multilaterale. Kjo vlen sidomos për Europën. Tani më shumë se kurrë ne kemi nevojë për dy superfuqitë e shekullit XXI, Amerikën dhe Kinën, që të japin një shembull, duke lënë pas krahëve rivalitetin e tyre dhe duke bashkuar të gjithë njerëzimin rreth një përgjigje kolektive ndaj krizës aktuale dhe ndaj atyre që na presin në të ardhme. Siç na ka mësuar COVID-19, sistemi i vjetër ndërkombëtar nuk mund të garantojë më sigurinë e njerëzimit. Nuk mund t’ia lejojmë vetes ta mësojmë dy herë këtë mësim.

/Project Syndicate/

Leave A Reply

Your email address will not be published.