Xhaçka: Në tetor hapim programin bachelor në Akademinë e FA

0 26

Pesëdhjetë e tre nënkolonelë dhe majorë të FA shqiptare dhe Forcës së Sigurisë së Kosovë përfunduan me sukses vitin akademik 2019-2020 në Akademinë e Forcave të Armatosura. Nënkolonelët ndoqën për rreth 1 vit Kursin e Lartë të Oficerit, ndërsa majorët atë të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në ceremoninë e përfundimit të këtyre dy kurseve ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila përgëzoi oficerët dhe pedagogët për vullnetin për ta përfunduar vitin akademik edhe kushtet e vështira të diktuara nga pandemia.

“Jemi në prag të një ngjarje vërtet të rëndësishme, që është rezultat i një pune shumë të gjatë e të vështirë nga të gjithë ne. Pasi jemi duke kryer përgatitjet e fundit për të hapur programin bachelor në Akademinë e FA! Jemi në prag të një momenti kur Akademia e FA do të rifitojë me të drejta të plota rolin e saj si një nga shtyllat e ringritjes dhe modernizimit të FA! Duke shërbyer si një institucion i mirëfilltë publik i arsimit të lartë! Akreditimi i Akademisë së FA si një institucion i arsimit të lartë, nuk është thjesht një mundësi për të përgatitur kuadro më të mirë për nevojat e mbrojtjes e sigurisë. Kjo është edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të thithur talente të reja në familjen tonë, djem e vajza që do të shohin tek FA mundësinë reale për të ndërtuar një karrierë, si profesionistë të arsimuar. Një karrierë që më të aftët e të talentuarit prej tyre mund t’i çojë shumë larg e shumë lart, përtej radhëve të FA sonë, e deri në zyrat e Aleancës ku ne bëjmë pjesë”.

Në përfundim, ministrja Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i KDS gjeneral brigade Bajram Bega dhe atasheu ushtarak i Republikës së Kosovës në Tiranë, kolonel Bashkim Shillova i dorëzuan diplomat kursantëve më të spikatur. Kursin e Lartë të Oficerit e ndoqën 17 nënkolonelë, mes të cilëve 2 nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ndërsa Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm e ndoqën 36 majorë, 6 prej të cilëve nga FSK.

Leave A Reply

Your email address will not be published.